PL: Pa votën e lirë nuk mund të ketë integrim në BE

TIRANË, 23 qershor /ATSH/ Zëvendëssekretarja e përgjithshme e Partisë së Lirisë, Brunilda Haxhiu në një deklaratë për mediet sot foli në lidhje me zgjedhjet parlamentare të 11 majit, për të cilat tha se “ishin një provë e qartë e dështimit të demokracisë dhe shtetit të së drejtës në Shqipëri”.
Sipas Haxhiut, “manipulimi masiv dhe vrasja e votës pa hyrë ende në kuti, keqpërdorimi barbar i shtetit si makineri zgjedhore kriminale, blerja e votës dhe deformimi i rezultatit janë të papranueshme për një vend që aspiron të anëtarësohet në Bashkimin Evropian”.
Haxhiu shtoi se integrimi evropian nuk mund të ndërtohet mbi votën e vjedhur.
“Nuk mund të ketë integrim evropian pa zgjedhje të lira dhe të ndershme”, theksoi Haxhiu.
Haxhiu nënvizoi se “Partia e Lirisë ka qenë dhe mbetet mbështetëse e palëkundur e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian, por Integrimi nuk është dekor, as fasadë politike. Është votë e lirë, demokraci funksionale, shtet i së drejtës”.
“Terrori elektoral i 11 majit kurrë nuk do të pranohet nga Partia e Lirisë”, theksoi Haxhiu.
Haxhiu e përmbylli deklaratën e saj duke shtuar se, “pa garantuar votën e lirë, themelin e demokracisë dhe shtetit ligjor, nuk mund të ketë integrim të Shqipërisë në familjen evropiane”.
/m.q//a.f//r.e/