E Martë, 3 Nëntor 2026

PL: Qeveria nuk e ka zgjidhur problemin e strehimit

TIRANË, 8 qershor/ATSH/ Zv.Sekretarja e Përgjithshme e Partisë së Lirisë, Brunilda Haxhiu shprehu sot shqetësimin për rritjen e çmimeve të banesave dhe qerave, duke e bërë strehimin më të shtrenjtë dhe më të papërballueshëm për shumë qytetarë.

Përmes një deklarate për shtyp, Haxhiu u shpreh se “kriza e strehimit në vend është një nga faktorët kryesorë që po nxit lagimin masiv të qytetarëve, veçanërisht të të rinjve dhe familjeve të reja.

“Apartamentet në Tiranë janë më të shtrenjta se në Milano, por rrogat janë më të ulëtat në Europë. Të rinjtë që sapo nisin jetën familjare e kanë të pamundur të blejnë ose të marrin një shtëpi me qira në zonat urbane. Edhe kur ia dalin të marrin një kredi, kostot e tyre janë të jashtëzakonshme. Ata mbeten peng i mikrokredive dhe borxheve”, tha ajo.

Sipas Haxhiut, mungesa e strehimit po ndikon drejtpërdrejt në rënien e lindshmërisë dhe emigrimin masiv të çifteve të reja.

Haxhiu theksoi se shumë prej projekteve të shpallura nga institucionet për banesa sociale ose subvencionim kredish janë të vonuara ose të parealizuara.

“Qeveria Rama nuk e ka zgjidhur problemin e strehimit por e ka rënduar atë, edhe pse biznesi i betonit ka lulëzuar në Shqipëri. Në kryeqytet ka mijëra apartamente të pashitura, sepse ndërtimi nuk po përdoret si mekanizëm strehimi, por për të pastruar paratë e pista”, shtoi ajo.

Po ashtu, Haxhiu nënvizoi se fondi 3% i banesave, që synon t`ju merret ndërtuesve për t’ua dhënë qytetarëve si banesa sociale nuk është zbatuar.

“Partia e Lirisë ka një vizion të qartë për të zgjidhur këtë problematikë të rëndë sociale. Ne fokusohemi në programet e subvencionimit për përfitimin e strehimit, por njëkohësisht edhe për investim për ndërtimin e banesave sociale”, shtoi ajo.

/m.m/a.f/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›