POLONI – Tusk: Pauza në luftën në Ukrainë mund të jetë afër

VARSHAVË, 8 gusht /ATSH/- Një pauzë në konfliktin në Ukrainë mund të jetë afër, tha sot kryeministri polak Donald Tusk pas një bisede telefonike me presidentin e Ukrainës Volodymyr Zelensky, sipas “Reuters”.
Vladimir Putin dhe Donald Trump do të takohen në ditët në vijim, tha dje Kremlini, ndërsa presidenti amerikan kërkon progres në negociata për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë, tani në vitin e saj të katërt.
Trump shprehu zhgënjim me homologun e tij rus duke e kërcënuar atë me sanksione të reja.
“Ka sinjale të caktuara, dhe ne gjithashtu kemi një intuitë, se ndoshta një ngrirje e konfliktit – nuk dua të them fundi, por një ngrirje e konfliktit është e afërt”, tha ai në një konferencë për shtyp.
“Ka shpresa për këtë”, shtoi ai.
Tusk tha se Zelensky ishte shumë i kujdesshëm, por optimist dhe se Ukraina ishte e etur që Polonia dhe vendet e tjera evropiane të luanin një rol – në planifikimin e një armëpushimi dhe një zgjidhjeje përfundimtare për paqen.
Anëtarja e NATO-s, Polonia, ka qenë një mbështetëse e fortë e fqinjit të saj lindor, Ukrainës – që kur Putini dërgoi dhjetëra mijëra trupa në vend në shkurt të vitit 2022, duke përmendur kërcënime ndaj sigurisë ruse dhe duke i zhytur marrëdhëniet e Moskës me Perëndimin në një krizë të thellë.
Kievi dhe aleatët e tij perëndimorë thonë se Rusia është e angazhuar në një grabitje tokash në stilin imperial.
Në një postim në X, Zelensky tha se kishte folur me Tusk rreth opsioneve diplomatike të disponueshme dhe kishte rënë dakord të koordinoheshin dhe të punonin së bashku për interesat e tyre të përbashkëta evropiane.
Ai gjithashtu e kishte informuar kryeministrin polak rreth bisedave të tij me Trump dhe udhëheqësit e tjerë evropianë në fillim të kësaj jave. //a.i/