E Diel, 1 Nëntor 2026

PORTUGALI – Pesë të vdekur pas kalimit të stuhisë ”Kristin”

LISBONË, 28 janar /ATSH/ – Stuhia e fuqishme “Kristin” ka shkaktuar të paktën pesë viktima në Portugali dhe ka lënë më shumë se 800 mijë banorë pa energji elektrike, ndërsa ka sjellë reshje të dendura shiu dhe erëra shumë të forta në pjesët qendrore dhe veriore të vendit, njoftuan sot autoritetet, sipas Reuters.

”Viktimat u njoftuan në Vila Franca de Xira, në periferi të Lisbonës dhe në distriktin qendror të Leirias, një nga zonat më të goditura nga stuhia”, konfirmoi këshilli bashkiak lokal.

Autoritetet portugeze raportuan qindra incidente gjatë natës dhe orëve të para të mëngjesit, kryesisht pemë të rrëzuara, çati të dëmtuara dhe struktura të shembura nga erërat e forta.

Trafiku rrugor dhe hekurudhor u ndërpre në disa zona, ndërsa shërbimet e emergjencës u vendosën në gatishmëri të plotë.

Ndërprerjet e energjisë elektrike prekën një numër të madh rajonesh, duke përfshirë zona të dendura urbane dhe rurale, ndërsa ekipet e kompanive të energjisë po punojnë për rikthimin gradual të furnizimit.

Autoritetet u kanë bërë thirrje qytetarëve të shmangin lëvizjet e panevojshme dhe të qëndrojnë në ambiente të sigurta.

Për shkak të kushteve të vështira të motit, disa shkolla dhe shërbime publike u mbyllën përkohësisht. Në disa qytete u raportuan edhe përmbytje të lokalizuara, ndërsa toka e ngopur nga reshjet rrit rrezikun për rrëshqitje dhe incidente të tjera.

Ndërkohë, stuhia ”Kristin” po lëviz drejt brendësisë së Spanjës, ku autoritetet kanë lëshuar paralajmërime për erëra të forta dhe reshje intensive. Shërbimet meteorologjike në të dy vendet po monitorojnë situatën, ndërsa përmirësimi i kushteve të motit pritet gradualisht gjatë orëve dhe ditëve në vijim./  /Ad.Ab./ a.jor.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›