PS: Kuvendi nuk e ndal punën! Peleshi paralajmëron opozitën nuk do t’i funksionojë strategjia e bllokimit

Partia Socialiste është e vendosur të vazhdojë punën në parlament pavarësisht aksionit të ri të opozitës pas arrestimit të deputetit Ervin Salianji. Në përfundim të mbledhjes së grupit parlamentar, Niko Peleshi theksoi se kuvendi do të vazhdojë aktivitetin, duke i kujtuar PD se bllokimi i mbledhjeve të parlamentit vjet nuk i solli asnjë përfitim politik.
“Ne do të kemi vetëm një linjë të zbatojmë detyrimet kushtetuese, të zbatojmë detyrimet ndaj mandatit që na ka dhënë sovrani, që do të thotë të marrim pjesë komisionet parlamentare dhe në seancë. Unë shpresoj që mos të shkojmë në skenar që janë provuar dhe më parë të pasuksesshëm si forcë politike. E kam fjalën këtu për bojkotin apo bllokime të natyrës së dhunshme por nuk do të aludoj. Shpresoj që mos të ndodh kjo, ne do të vazhdojmë punën tone”, tha Peleshi.
Nga ana tjetër Niko Peleshi shmangu çdo koment në lidhje me arrestimin e deputetit Salianji.
“E kemi bërë tani për kulturë politike të mos komentojmë zhvillimet e organeve të drejtësisë. Nuk e kam bërë këtë as kur ndonjë koleg i yni ka patur apo ka një çështje të hapur. Kështu që mos më kërkoni të komentoj një vendim të formës së prerë. Nuk mund të jem unë as qeveria mbi organet e drejtësisë. Për këtë ditë kemi punuar të gjithë bashkë”, shtoi ai.
Pas arrestimit të deputetit Salianji, PD deklaroi se ndërpret marrëdhëniet institucionale me mazhorancën në parlament e mbetet për tu parë se si do të jetë aksioni i opozitës dhe si do t’i përgjigjet Partia Socialiste në kuvend si dhe në sallën e seancave plenare. /vizionplus.tv