E Diel, 1 Nëntor 2026

PS dhe PD bien dakord për Reformën Territoriale, miratohet kalendari i dëgjesave

Komisioni i Posaçëm Parlamentar për Reformën Administrativo-Territoriale zhvilloi sot mbledhjen ku u miratua kalendari i detajuar i dëgjesave, duke shënuar një moment dakordësie mes Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike.

Bashkëkryetarët e komisionit, Arbjan Mazniku (PS) dhe Luciano Boçi (PD), konfirmuan se dëgjesat do të nisin më 3 prill dhe do të vijojnë gjatë muajve prill dhe maj, si në Kuvend ashtu edhe në terren me kryetarët e bashkive.

“Ky dokument ka dy kolona kryesore. Dëgjesa këtu në komision me kryetarët e bashkive sipas qarqeve dhe konsultimet tematike në Kuvend. Kemi menduar që të bëjmë në një ditë kryetarët e bashkive të dy qarqeve. Kemi dakordësuar disa ditë të veçanta për dëgjesa që të mos përplasen me seancat apo aktivitetet e tjera të Kuvendit. Kryesisht janë të mërkurave.”- deklaroi Mazniku.

Ai shtoi se dëgjesat në terren do të zhvillohen për 4-5 javë, me dy aktivitete në javë, ndërsa nga 1 maji do të fillojnë dëgjesat tematike në Kuvend me ekspertë sipas fushave specifike.

Nga ana e tij, Boçi theksoi rëndësinë e ekspertëve në këtë proces, duke theksuar se, “Roli i ekspertëve është shumë i rëndësishëm dhe ky proces duhet të jetë i hapur për të nxjerrë në pah situatën reale. Dimensioni i transparencës ka lidhje direkte me besueshmërinë e publikut për reformën territoriale. Të mos jetë vetëm produkt politik, por edhe rezultat i dijes dhe transparencës.”

Ai shtoi se vendimet e komisionit synohen të jenë konsensuale dhe se do të ketë mbështetje edhe nga ekspertë ndërkombëtarë.

Boçi përmendi se ambasadori i BE-së në Shqipëri, Silvio Gonzato, ka shprehur gatishmërinë për të ofruar ekspertizë dhe pjesëmarrje në vizitat e komisionit, ndërsa ambasada zvicerane ka pranuar të ofrojë suport për kërkesat e komisionit.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›