PS hap fushatën në sheshin “Skënderbej” me këngë e valle, Rama: Në 2030 jemi anëtar të BE

Nën melodinë tradicionale të Lahutës së Malsisë, me 12 yjet e flamurit të BE, pranë 12 qarqeve të Shqipërisë, zbriti në fushë skuadra e Partisë Socialiste për të garuar në zgjedhjet e ardhshme parlamentare.
‘Vallen e Dasmës’ së shumëkërkuar me Bashkimin Europian, Partia Socialiste e nisi me qarkun e Tiranës.
Me numrin 5 dhe yll në veshje, kryesocialisti Edi Rama u ngjit në skenë mes brohorimave, duke surprizuar të pranishmit me këngën zyrtare të fushatës.Në krye të fjalës, kryesocialisti u shpreh se Shqipëria ka një mundësi historike.
“Ne dhe vetëm ne dhe askush tjetër, kemi në dorë fatin europian të Shqipërisë. Kemi 30 ditë përpara për t’u lidhur me çdo shqiptar.”, tha kryesocialisti Rama.
Duke ironizuar opozitën, Rama tha se Shqipëria nuk duhet ta humbasë shansin për në BE.
“Sa do komike të duket, kjo është e vërteta, të takosh historinë apo të fitosh ëndrrën me mustaqet e Kujtim Gjuzit? Kjo është dita përtej të majtës dhe të djathtës.”
Sipas Ramës, Shqipëria sot s’ka asnjë krahasim me Shqipërinë deri në 2030.
“Deri në 2030, një Shqipëri që s’ka lidhje me atë që jemi tani. Madje edhe këneta do të jetë tharë.”
Për barazinë para ligjit, Rama tha se populli nuk mund ta lërë në dorë të qeverive.
“Me ne ose me kënetën madhështore, ose me qilimat fluturues të moçalit…”
Kryeministri Edi Rama ironizoi sërish opozitën dhe Chris LaCivita-n, të cilit iu referua si Latifi.
“Me këtë prioritet ka sjellë, kushedi me sa para, kushedi ku i ka gjetur, edhe një Latif nga Amerika, i cili për të gjithë ne që jemi rritur në lagjet e Tiranës, të kujton atë të fortin e lagjes që qullësi poshtë pallatit e thërret: ‘Hajde Latif se do më rrahin.’ Kishte publikuar dje një buf që hante një mi dhe ngrinte pyetjen se kush është miu. Atij bravo i qoftë se të gjesh budallenj dhe të paguash gjithë ato para për të duartrokitur edhe kur ia fut asaj që nuk thuhet në atë farë feje, vërtet të kesh lindur me këmishë. Se që bufi është bufi kjo nuk ka diskutim, kurse për miun ka shumë kandidatë, që nga Luli që harroi se ishte mi dhe u soll si ari, deri te ai i shkreti nga Kavaja.”
Kryeministri Edi Rama e mbylli fjalën e tij me një thirrje drejtuar shqiptarëve që të besojnë në Shqipërinë në BE dhe të braktisin ata që ai i quajti si ‘profetët’ e rremë, që predikojnë madhështira qesharake.
Në kërkim të mandatit të katërt, Partia Socialiste e ka ndërtuar programin e saj elektoral me në fokus anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian. Për këtë arsye, 12 yjet e flamurit të BE-së ishin pozicionuar në shesh, duke i dhënë të 12 drejtuesve politikë të qarqeve mundësinë të adresonin mesazhet e tyre brenda 5 minutave, ashtu siç është edhe numri 5 i PS në fletën e votimit.
Secili qark i Shqipërisë u prezantua ndryshe, përfshirë elementë tradicionalë që i karakterizojnë.
/vizionplus.tv