Pagat e magjistratëve, Shoqata e Prokurorëve kërkon rishikim të projektligjit

TIRANË, 14 shtator /ATSH/ Shoqata e Prokurorëve kërkon rishikim substancial të projektligjit për ndryshimin e pagave të gjyqtarëve dhe prokurorëve, duke argumentuar se formula e propozuar nuk garanton standardin kushtetues për mbrojtjen e pagës së magjistratëve.
Në një qëndrim të publikuar sot, Shoqata e Prokurorëve bëri të ditur se i ka dërguar Kuvendit opinionin e saj mbi projektligjin, në vijim të qëndrimeve institucionale për zbatimin e Vendimit nr. 15, datë 17 shkurt 2026, të Gjykatës Kushtetuese.
Sipas Shoqatës, projektligji në formën aktuale kërkon ndryshime të rëndësishme, pasi formula e propozuar, sipas saj, nuk garanton standardin kushtetues të përcaktuar për pagat e magjistratëve dhe nuk është në përputhje me Vendimin nr. 15/2026 të Gjykatës Kushtetuese.
Shoqata kërkon respektimin e plotë të procedurave të posaçme parlamentare për zbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, si dhe një konsultim real dhe efektiv me organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë, magjistratët dhe organizatat e tyre profesionale.
Një tjetër kërkesë lidhet me përcaktimin e një formule dinamike të pagës, e cila, sipas Shoqatës, të mos e ngrijë nivelin e pagës. Si mekanizëm më koherent me arkitekturën e ligjit, Shoqata propozon referencën dinamike me nivelin e lartë drejtues të administratës publike.
Në rast se ruhet referenca me pagën e Presidentit, Shoqata kërkon që niveli i përcaktuar të mos jetë më i ulët se standardi financiar që rezulton nga Vendimi nr. 15/2026, si dhe të vendoset një mekanizëm automatik vjetor indeksimi sipas inflacionit faktik, me synim mbrojtjen e fuqisë blerëse të pagës.
Gjithashtu, Shoqata kërkon që ndërhyrja e re ligjore të mos neutralizojë apo reduktojë efektet juridike dhe financiare të Vendimit nr. 15/2026 të Gjykatës Kushtetuese.
“Pagat e magjistratëve nuk janë thjesht një çështje buxhetore, por garanci e pavarësisë së sistemit të drejtësisë”, thekson Shoqata e Prokurorëve.
“Zbatimi i një vendimi të Gjykatës Kushtetuese nuk mund të bëhet duke relativizuar standardin e vendosur prej saj. Kostot buxhetore duhen planifikuar dhe përballuar nga shteti, por nuk mund të përdoren si argument për të ulur garancitë kushtetuese të magjistratëve”, thuhet në qëndrimin e Shoqatës.
/gj.m/r.e/a.f/