E Diel, 1 Nëntor 2026

Marrëveshje me Akademinë e të Drejtës Evropiane për forcimin e kapaciteteve në prokurimin publik

TIRANË, 14 shtator/ATSH/ Operatori i Blerjeve të Përqendruara (OBP) dhe Akademia e së Drejtës Evropiane (ERA) kanë nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi për forcimin e kapaciteteve profesionale të zyrtarëve të prokurimit dhe përafrimin e praktikave shqiptare me standardet e Bashkimit Evropian.

Marrëveshja, e nënshkruar nga kreu i OBP-së, Jonaid Myzyri, parashikon mbështetjen e ERA-s në vlerësimin e nevojave për trajnim dhe zhvillim profesional të stafit të prokurimit. Vlerësimi do të identifikojë fushat prioritare dhe do të orientojë programet e ardhshme të trajnimit në përputhje me zhvillimet e legjislacionit dhe praktikave evropiane.

Gjatë diskutimeve u trajtua edhe transformimi digjital i prokurimit publik, zhvillimi i infrastrukturës teknologjike dhe përdorimi i zgjidhjeve të bazuara në inteligjencën artificiale në procedurat e prokurimit.

Palët dakordësuan të eksplorojnë mundësi të tjera bashkëpunimi, ndërsa trajnimet do të zhvillohen në Trier, Tiranë ose online, në varësi të nevojave të evidentuara.

Sipas OBP-së, marrëveshja synon rritjen e profesionalizmit dhe cilësisë së procedurave të prokurimit, si dhe përafrimin e mëtejshëm të praktikave shqiptare me standardet evropiane në kuadër të procesit të integrimit në BE.

/e.xh/a.f/r.e/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›