Pagat e referencës në turizëm, ekspertët: Nuk i shërbejnë tregut, dështim i tatimeve

Me nisjen e pikut të sezonit turistik, rritet edhe monitorimi dhe vëmendja e tatimeve për të pasur tregun e turizmit nën vëzhgim, nga shmangia e detyrimeve.
Së fundmi, u publikuan edhe 45 paga referencë për profesionet në këtë sektor. Nëse bizneset deklarojnë paga nën kufirin e përcaktuar nga tatimet, do të jenë subjekt i kontrolleve më të detajuara nga administrata.
“Duhet bërë një ndarje: referenca për kontroll dhe referenca si detyrim për të pasur këto paga. Tatimet janë në të drejtën e tyre për të përllogaritur rrezikun tatimor. Elementi i dytë është pjesa e ndërhyrjes së qeverisë në tregun e lirë. Ka pasur tentativa edhe më herët dhe kanë përfunduar në Gjykatën Kushtetuese, sepse bien ndesh me tregun e lirë. Ne ecim me një sistem të bazuar në rrezik dhe tatimet rrisin rrezikun me këtë matriks. Por edhe nëse je biznes me rrezik, nuk do të thotë që je biznes në shkelje. Pra, nuk është detyrim ligjor, por rekomandues” , sqaroi audituesi Julian Saraci.
Ekspertët e fushës thonë se çdo referencë që vjen me detyrim nuk i shërben tregut dhe rendimentit të punës. Pagat indikative në turizëm janë njësoj si rritja e pagës minimale, e cila nuk bazohet në produktivitet.
“”Pa dyshim, një pagë më e lartë është më pozitive. Duhet të gjykojmë kush është burimi i kësaj rritjeje. Rritjet me referenca, siç është edhe paga minimale që vijnë të imponuara me vendim qeverie nga lart, janë të destinuara afatgjatë të dështojnë, sepse janë rritje artificiale dhe jo të qëndrueshme ekonomikisht.”
Për ekspertët, rishikimi i pagave referencë apo edhe përcaktimi i shfrytëzimit të kapaciteteve shfrytëzuese të hoteleve konsiderohen një dështim i tatimeve.
“Administrata jonë tatimore i ka mekanizmat për të mbledhur tatimet. Ligji bazë është shterues. Në rast se tatimet gjykojnë që detyrimet po shmangen, i ka të gjitha mjetet ligjore që të identifikojë dhe të marrë masat. Fakti që e bën me detyrim është një zgjidhje alternative në mungesë të procedurës standarde – mund të themi se është një mini-dështim i tatimeve.”
Të 45 profesionet e parashikuara nga tatimet nisin me një pagë minimale 67 mijë lekë deri në 140 mijë lekë.
/vizionplus.tv