E Martë, 3 Nëntor 2026

Pagat në turizëm, DPT: Kontroll bizneseve që paguajnë më pak se minimumi indikativ

TIRANË, 14 qershor /ATSH/ Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve publikoi  listën e pagave indikative për sektorin e turizmit, teksa i bëri thirrje tatimpaguesve të deklarojnë saktë pagat e punonjësve për të shmangur kontrollet e thelluara.

Në kuadër të zbatimit të planit sektorial të turizmit 2025 dhe uljes së informalitetit të pagave, Administrata Tatimore thekson se do të kontrollojë të gjithë ata tatimpagues të cilët pagat e deklaruara i kanë nën pagat indikative të publikuara në faqen zyrartare të AT.

Për vlerësimin e riskut të tatimpaguesve që shmangin pagesën reale të pagave të punonjësve, analiza do të ketë si element krahasues pagat indikative të profesioneve në sektorin e turizmit.

Në listën e publikuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, jepen pagat indikative për profesione si kamarier, menaxher, roje, pastrues, kuzhinier, punëtor dhe të tjerë.

Sipas DPT, tatimpaguesit që pagën e punonjësit të deklaruar, për profesionet e sipërpërmendura ose të ngjashme me to, do ta ketë nën nivelin e pagës indikative, do të konsiderohet me risk dhe do të bëhet objekt i verifikimeve të thelluara.

Pagat reference fillojnë nga 55,000 lekë për rojen e parkimit, punëtor të pastrimit të plazhit dhe arrijnë në 130,000 deri 140,0000 për kryekuzhinierë, shefat e pastiçerive, apo pozicione të tjera të larta në zinxhirin e shërbimit. /j.p/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›