Ekstradohet nga Spanja 25-vjeçari, i akuzuar për tentativë për vrasje

TIRANË, 14 qershor /ATSH/ Një 25-vjeçar është ekstraduar nga Spanja pasi akuzohet për tentativë vrasje në vitin 2023, në Kukës.
Policia njoftoi se “si rezultat i bashkëpunimit të Interpol Tiranës me Interpol Madridin, për lokalizimin, kapjen dhe ekstradimin e shtetasve në kërkim ndërkombëtar, në vijim të operacionit policor ndërkombëtar të koduar “The Wanted”, u ekstradua nga Spanja në Shqipëri, shtetasi: S. C., 25 vjeç”.
Sipas policisë “ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Tirana, pasi Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Kukës i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Vrasja e kryer me kapërcim të kufijve të mbrojtjes së nevojshme”, mbetur në tentativë dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta””.
“Ky shtetas dyshohet se në një lokal në lagjen nr. 5, Kukës, ka tentuar ta vrasë, duke e goditur me mjet prerës, shtetasin A. E”, njoftoi policia. /j.p/