Paketa e Maleve, mbi 250 aplikime për zhvillim turistik dhe agroturizëm në Elbasan

TIRANË, 25 shkurt /ATSH/ Bashkia e Elbasanit njofton një rritje të interesit për Paketën e Maleve, iniciativë që synon të nxisë investimet dhe zhvillimin e qëndrueshëm të zonave malore, me fokus zhvillimin e turizmit dhe agroturizmit.
Drejtori i Politikave Pyjore dhe Bujqësore, në bashkinë Elbasan, Shpëtim Çullhaj bëri të ditur se qeveria ka përcaktuar katër zona prioritare për zhvillim: Funari, Gjinari, Shushica dhe Tregani. Sipas tij, zonat me interesin më të lartë të investitorëve janë Funari dhe Gjinari, të cilat regjistrojnë numrin më të madh të aplikimeve.
“Aplikantët kanë shfaqur interes kryesisht për projekte në agroturizëm, ndërsa më pak për energji të gjelbër dhe bletari. Çdo qytetar që ka tokë në zonat prioritare mund të paraqesë aplikimin e tij”, tha ai në një intervistë për mediet.
Bashkia e Elbasanit synon që deri në përfundim të procesit të shpallë të paktën 50 projekte fituese, duke kontribuar në zhvillimin ekonomik lokal, forcimin e turizmit malor dhe përmirësimin e qëndrueshmërisë së këtyre zonave.
/e.xh/r.e/