Paketa e re fiskale, ekspertët: Vendimmarrja është e njëanshme dhe e nxituar, barra do të bjerë te bizneset dhe konsumatori! Mund të ketë rritje të çmimit të biletave të transportit
Ekspertët paralajmërojnë se paketa e re fiskale mund të ketë pasoja në ekonominë në tërësi, duke theksuar se masat e marra rëndojnë bizneset por edhe konsumatorët.

Në një intervistë për News24, ekspertja e ekonomisë Romina Radonshiqi u shpreh se protesta ka ndikuar në ndërgjegjësimin e qeverisë për vështirësitë me të cilat përballen qytetarët, por theksoi se barra e lehtësimit të tyre nuk duhet të kalojë te biznesi.
Sipas saj, kjo mund t’i detyrojë sipërmarrjet të rrisin çmimet e produkteve dhe shërbimeve ose të shkurtojnë vendet e punës.
“Protesta ndikoi që qeveria të kuptonte se shqiptarët jetojnë në kushte të vështira. Por nuk është zgjidhje që për të kënaqur një pjesë të mirë të popullsisë që jeton në një nivel të vështirë, zgjidhjen ta gjesh te biznesi. Sepse biznesi ka dy zgjidhje ose të rrisë produktet dhe shërbimet që ofron ose të shkurtojë punonjës.”, tha ekspertja.
Ndërsa eksperti Edvin Prence kritikoi mënyrën e njëanshme dhe të nxituar të vendimmarrjes, duke theksuar se ministria e Financave nuk ka bërë një analizë të thelluar mbi ndikimin e masave në ekonomi në tërësi. Sipas tij, barra finale do të bjerë jo vetëm te biznesi por edhe tek konsumatori.
“Janë vendimmarrje të marra në mënyrë të njëanshme. Nuk është bërë analizë e thelluar se si do të jetë ndikimi dhe barra mbi biznesin. Në rast se flitet për ulje me 14% në rastin e TVSH, kjo ulje mund të ndikojë në maksimumin e saj në 11%. Po të flasim për TVSH që është rritur në 21%, ndikimi i saj real mund të shkojë në 24 përqind.
Teorikisht ne e kemi të shkruajtur 21 përqind, por efekti i saj i ndjeshëm do të ketë akoma edhe më i lartë. Ajo çka mungon është një analizë e thelluar nga ministria e Financave për të parë ndikimin në ekonomi në tërësi. Barra do të ndikojë tek biznesi, por ajo që do të shkarkohet më shumë do të jetë të produkti final te konsumatori.”, tha Prençe.
Duke u ndalur tek taksa e qarkullimit, eksperti nuk përjashtoi edhe mundësinë e rritjes së çmimit të biletave të transportit.
“Duke qenë një mungesë e theksuar e analizës, patjetër që ka impaktin se do të hiqen deri në 30 lekë taksa nga nafta, por nga ana tjetër, do të rritet taksa e automjetit. Transporti publik shërbehet nga biznese private. Si do të incentivohen. Në rast se nuk do të incentivohen, do të çojë në rritjen e çmimit të biletës”, shtoi ai.