Paketa fiskale 2027, Tabaku: Qeveria i shton barrën biznesit të vogël - ATSH -
TIRANË, 1 nëntor /ATSH/ Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku tha sot se masat e propozuara për Paketën Fiskale 2027 do të shtojnë presionin mbi biznesin e vogël dhe profesionistët e lirë.
Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Tabaku u shpreh se ulja e pragut të TVSH-së në 5 milionë lekë dhe propozimi për aplikimin e normës standarde prej 21% do të rëndojnë aktivitetin e bizneseve të vogla.
Sipas saj, me këto ndryshime do të ketë më “pak hapësirë për të investuar. Më shumë presion për të rritur çmimet. Më shumë pasiguri për familjet që jetojnë nga kjo punë”.
“Biznesi i vogël mban familje. Qeveria i shton barrën”, tha Tabaku, duke theksuar se pas çdo dyqani, punishteje apo zyre ka njerëz që punojnë për të siguruar të ardhurat e familjeve të tyre.
Në përfundim, deputetja demokrate kërkoi që shteti të mbështesë biznesin e vogël dhe njerëzit që punojnë, në vend që t’u shtojë barrën fiskale.
/m.q/r.e/
Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
