E Diel, 1 Nëntor 2026

Pallat me qira sociale, vendimi i Këshillit Bashkiak Korçë për të pastrehët

Bashkia e Korçës është duke menduar ndërtimin e një pallati të ri me qira sociale që do i vijë në ndihmë familjeve të pastreha të cilat kanë edhe vështirësi ekonomike për të paguar qiratë e banesave në treg të lirë. Investimi pritet të kryhet përmes fondit publik të banesave sociale. Ky fond është siguruar nga ndërtimet mbi 2000 m2 të cilat sipas ligjit duhet të venë në dispozicion 3% të hapësirës për fondin publik të banesave, çka mund ta bëjnë në vlerë monetare apo edhe në banesa.

Kryebashkiaku Sotiraq Filo në mbledhjen e Këshillit Bashkiak tha se pritet që së shpejti të nisë ndërtimi i këtij pallati.

“Kemi një fond të grumbulluar nga vitet e kaluara në masën 48 milion lekë të reja, ndërkohë që parashikimi për këtë vit është 26 milion, pra në total do të jenë diku 74 milion lekë të reja. Përdorimi do të jetë në funksion të strehimit social, një mundësi që të ndërtojmë një banesë të re me qira sociale”, tha kryebashkiaku.

Në qytetin e Korçës aktualisht janë tre pallate të ndërtuara disa vite më parë të cilat strehojnë një numër familjesh që kanë të ardhura të ulëta nëpërmjet një pagese simbolike të qirasë mujore.

Gazetare: Kostanca Koçi

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›