E Hënë, 2 Nëntor 2026

Pamje mahnitëse nga Kalaja e Vivarit në Parkun Kombëtar të Butrintit


TIRANË, 20 shtator /ATSH/ Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale pamjet mahnitëse nga ajri, të Kalasë së Vivarit ose Kalaja e Ali Pashës në Parkun Kombëtar të Butrintit, Sarandë.

Kjo Kala vizitohet nga të huaj edhe vendas përgjatë gjithë vitit.

Kalaja është një kështjellë katërkëndëshe që e ndërtoi Ali Pasha në Butrint, pranë grykës së derdhjes në det të kanalit të Vivarit.

Kalaja e Vivarit u ndërtua rreth viteve 1800, për të ndaluar zbarkimin e ushtrive franceze të Korfuzit.

Kështjella ka përmasa 20 x 30 m, me katër kulla të vendosura në qoshet. Dy kullat e drejtuara nga deti kanë planimetri rrethore, ndërsa dy të tjerat, në anë të kundërt janë katërkëndëshe.

Midis këtyre të fundit ndodhet edhe porta kryesore e kështjellës. Një portë tjetër më e ngushtë është hapur në mesin e murit verior, në drejtim të bregut të kanalit. Mënyra e mbrojtjes së kësaj porte të tërheq vëmendjen në mënyrë të veçantë. Përveç dy kullave, që e mbronin nga ana e jashtme, ajo ka dhe një sistem të brendshëm fortifikimi.

Tek kjo kala mund shkohet vetëm me varkë, pasi është e rrethuar nga uji.

/m.q/a.f/

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›