E Shtunë, 7 Nëntor 2026

Panairi Ndërkombëtar i Tiranës mbyll me sukses edicionin e 32-të, mbi 300 kompani në katër ditë biznesi dhe bashkëpunimi - ATSH -

TIRANË, 6 nëntor/ATSH/ Panairi Ndërkombëtar i Tiranës, i organizuar nga Klik Ekspo Group, zhvilloi edicionin e tij të 32-të NGA 3-6 nëntor, duke e kthyer Pallatin e Kongreseve në një hapësirë të rëndësishme takimesh për biznesin vendas dhe ndërkombëtar.

Për katër ditë, aktiviteti mblodhi mbi 300 kompani dhe ekspozues, me përfaqësim nga më shumë se 12 shtete, institucione publike, dhoma tregtie dhe organizata biznesi.

Përtej ekspozimit të produkteve dhe shërbimeve, panairi synoi të krijojë ura komunikimi mes sipërmarrjeve, të nxisë partneritete të reja dhe të lehtësojë kontaktet mes aktorëve ekonomikë nga tregje të ndryshme.

“Për më shumë se tri dekada, qëllimi ynë ka qenë të ndihmojmë njerëzit dhe bizneset të gjejnë njëri-tjetrin. Panairi është ndërtuar pikërisht mbi këtë filozofi: të krijojë një hapësirë ku kompanitë të prezantojnë potencialet e tyre, të shkëmbejnë ide dhe të identifikojnë mundësi konkrete bashkëpunimi. Rëndësia e tij nuk matet vetëm me numrin e ekspozuesve, por edhe me lidhjet që krijohen dhe marrëdhëniet që vijojnë përtej ditëve të aktivitetit”, u shpreh Luel Muhametaj, Menaxher i Përgjithshëm i TIF.

Përmasat ndërkombëtare të këtij edicioni u reflektuan edhe në praninë e delegacioneve dhe organizatave të huaja të biznesit, të cilat e shfrytëzuan panairin si një mundësi për të promovuar kapacitetet e tyre dhe për të eksploruar potencialin e tregut shqiptar.

“Dua të shpreh falënderimet e mia për angazhimin e Klik Ekspo Group në organizimin e këtij aktiviteti dhe për mundësinë që na ka dhënë të jemi pjesë e këtij panairi. Për ne, kjo është një platformë e rëndësishme për të prezantuar sipërmarrjet tona, për të krijuar kontakte të reja dhe për të forcuar marrëdhëniet ekonomike mes rajoneve tona. Bashkëpunimi mes kompanive dhe institucioneve është thelbësor për të hapur perspektiva të reja zhvillimi”, deklaroi Luiggi Triggiani, Sekretar i Përgjithshëm i Unioncamere Puglia.

Në një sipërfaqe ekspozimi prej rreth 8 mijë metrash katrorë, kompanitë prezantuan produkte, teknologji, shërbime dhe projekte në sektorë të ndryshëm, nga bujqësia dhe industria te energjia, infrastruktura, ndërtimi, teknologjia dhe shërbimet. Panairi krijoi kështu një panoramë të potencialeve të sipërmarrjes dhe të mundësive që ofron ekonomia shqiptare për investitorët dhe partnerët e huaj.

“Ky panair nuk është më thjesht një hapësirë ekspozimi, ku kompanitë vijnë për të prezantuar produktet e tyre. Ai është shndërruar në një pikë takimi mes prodhuesve, investitorëve, institucioneve dhe konsumatorëve. Është një mundësi për të evidentuar kapacitetet e vendit, për të promovuar prodhimin vendas dhe për të nxitur lidhje të reja ekonomike që mund të përkthehen në investime dhe zhvillim”, u shpreh Andis Salla, Ministër i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural.

Edhe infrastruktura dhe energjia zunë një vend të rëndësishëm në konceptimin e këtij edicioni, i cili u organizua përmes modelit “Fair of Fairs”, duke integruar disa sektorë dhe platforma tematike brenda një aktiviteti të përbashkët.

“Ky edicion, përmes konceptit ‘Fair of Fairs’ dhe një arkitekture të integruar sektoriale, na jep mundësinë të prezantojmë më qartë potencialet e Shqipërisë dhe të krijojmë një hapësirë ku sektorë të ndryshëm të ekonomisë ndërveprojnë me njëri-tjetrin. Infrastruktura dhe energjia janë ndër fushat që përcaktojnë konkurrueshmërinë dhe zhvillimin afatgjatë të vendit. Për këtë arsye, është e rëndësishme që bizneset dhe investitorët të kenë mundësi të njihen me projektet, teknologjitë dhe perspektivat e këtyre sektorëve”, deklaroi Enea Karakaçi, Ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë.

Një dimension tjetër i rëndësishëm i panairit ishte edhe dialogu mbi sfidat me të cilat përballen sipërmarrjet shqiptare. Krahas prezantimit të produkteve dhe shërbimeve, takimet dhe diskutimet mes përfaqësuesve të biznesit dhe organizatave të interesit shërbyen për të ngritur çështje që lidhen me konkurrueshmërinë, kostot, produktivitetin, fuqinë punëtore dhe përgatitjen për tregun europian.

“Ne kemi artikuluar vazhdimisht problematikat që hasin bizneset shqiptare dhe është e rëndësishme që këto çështje të mos mbeten vetëm në nivel diskutimi, por të shoqërohen me zgjidhje konkrete. Baza e zhvillimit të qëndrueshëm është një mjedis ku prodhuesit kanë mundësi të konkurrojnë, të investojnë dhe të rrisin kapacitetet e tyre. Panaire të tilla janë të rëndësishme sepse krijojnë mundësinë që këto shqetësime të dëgjohen drejtpërdrejt dhe të ndërtohet një dialog më i vazhdueshëm mes biznesit dhe institucioneve”, u shpreh përfaqësuesi i Bashkimit të Prodhuesve Shqiptarë.

Edicioni i 32-të u zhvillua në një klimë jo të lehtë për vendin, mes zhvillimeve ekonomike dhe protestave që shoqëruan ditët e organizimit. Megjithatë, Klik Ekspo Group vijoi realizimin e aktivitetit, duke e konsideruar atë një angazhim të rëndësishëm për sipërmarrjen dhe për promovimin e ekonomisë shqiptare.

“Ne ia dolëm. Ky është një nga ato raste kur guximi dhe këmbëngulja shpërblehen. Panairi nuk u organizua për të mbytur zërin e protestave, sepse ne e dimë se biznesi përballet me vështirësitë e veta, njësoj si qytetarët. Por ky aktivitet është rezultat i një pune shumëmujore dhe i angazhimit të dhjetëra njerëzve, kompanive dhe partnerëve. Për ne, përmbyllja e këtij edicioni është më shumë se një sukses organizativ; është dëshmi se dialogu, bashkëpunimi dhe aktiviteti ekonomik duhet të vijojnë edhe në periudha sfiduese”, deklaroi Agimarta Lula, përfaqësuese e Klik Ekspo Group.

Përgjegjësia sociale dhe qëndrueshmëria mjedisore ishin gjithashtu pjesë e organizimit të këtij edicioni. Në kuadër të nismave të ndërmarra, organizatorët mbështetën organizata sociale, promovuan dhurimin e librave dhe parashikuan ripërdorimin e pajisjeve dhe mobilieve pas përfundimit të aktivitetit, duke synuar reduktimin e mbetjeve dhe përdorimin më efikas të burimeve.

Me përfundimin e edicionit të 32-të, Panairi Ndërkombëtar i Tiranës riafirmon rolin e tij si një platformë për promovimin e sipërmarrjes, ndërkombëtarizimin e bizneseve dhe krijimin e partneriteteve ekonomike. Përmes pjesëmarrjes së kompanive vendase dhe të huaja, aktiviteti synon të kontribuojë në forcimin e lidhjeve tregtare dhe në pozicionimin e Shqipërisë si një pikë takimi për biznesin në rajon.

/k.s/j.p/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›