E Premte, 6 Nëntor 2026

Panik në tregjet globale, mbi 3 trilionë dollarë humbje nga rënia e aksioneve të teknologjisë pas fitores së demokratëve në SHBA

Amerikë | 6 minuta më parë

Facebook

Tregjet financiare në mbarë botën janë përfshirë nga një valë e fortë shitjesh, pasi investitorët kanë nisur të tërhiqen masivisht nga aksionet e kompanive të teknologjisë dhe inteligjencës artificiale. Frika se fitorja e demokratëve në zgjedhjet e mesit të mandatit në SHBA mund të sjellë kufizime të reja për industrinë e inteligjencës artificiale dhe ndërtimin e qendrave të të dhënave ka shkaktuar një nga ditët më të këqija të bursave amerikane në muajt e fundit.

Sipas raportimit të The Guardian, më shumë se 3.2 trilionë dollarë vlerë tregu u fshinë nga kompanitë amerikane gjatë së enjtes. Indeksi Nasdaq, ku dominojnë kompanitë e teknologjisë, ra me 5.5%, duke shënuar humbjen më të madhe ditore në 19 muaj. Dow Jones humbi 3.44%, ndërsa S&P 500 u tkurr me 4.36%.

Goditjen më të rëndë e pësuan kompanitë e lidhura me zhvillimin e inteligjencës artificiale. Prodhuesi i çipave SanDisk humbi rreth 22% të vlerës, Micron dhe AMD ranë me rreth 17%, ndërsa Nvidia, një prej kompanive kryesore të bumit të AI-së, regjistroi një rënie prej më shumë se 9%.

Shitjet u përhapën me shpejtësi edhe në tregjet aziatike. Indeksi Nikkei në Japoni ra me afro 6%, ndërsa KOSPI në Korenë e Jugut humbi 6.7%. Bursa e Tajvanit u tkurr me 4.5%. Nikkei regjistroi gjithashtu javën më të keqe në më shumë se gjashtë vjet, me një rënie prej 9.3%.

Analistët e lidhin këtë reagim me pasigurinë për politikat që mund të ndjekë Kongresi i kontrolluar nga demokratët. Fitorja e tyre në zgjedhjet e mesit të mandatit ka shtuar pritshmëritë për mbikëqyrje më të rreptë të kompanive të inteligjencës artificiale dhe kufizime të mundshme për zgjerimin e qendrave të të dhënave, të cilat kërkojnë investime gjigante.

Megjithatë, rënia nuk lidhet vetëm me zhvillimet politike. Investitorët kishin shprehur prej muajsh shqetësime për vlerësimin tepër të lartë të kompanive të AI-së dhe për faktin nëse shpenzimet marramendëse për këtë teknologji do të sjellin fitimet e pritshme. Rezultatet financiare të disa prej kompanive më të mëdha teknologjike kanë qenë gjithashtu më të dobëta nga sa pritej.

Ndërkohë, presidenti amerikan Donald Trump ka fajësuar demokratët për rrëzimin e tregjeve. Në një reagim në rrjetin e tij Truth Social, ai shkroi se bursat kishin përjetuar një nga ditët më të këqija në histori për shkak të rezultateve zgjedhore.

“Është e trishtueshme ta shohësh këtë! U desh kaq shumë punë për t’i çuar tregjet në nivele që nuk ishin parë kurrë më parë dhe pastaj ndodhi kjo. Prandaj, edhe llogaritë tuaja 401(k) kanë rënë. Mbani mend, nuk ishin republikanët, ishin ‘Dumocrats’”, shkroi Trump, duke përdorur qëllimisht një gabim drejtshkrimor për fjalën demokratë.

Në një tjetër postim, ai fajësoi edhe vetë votuesit, duke deklaruar: “Tregu i aksioneve u rrëzua sot sepse demokratët patën një fitore të madhe të martën. Është shumë e trishtueshme, fajin e keni vetëm ju vetë”.

Në këto kushte, investitorët po presin me vëmendje edhe raportin e fundit mbi punësimin në SHBA, i cili pritet të japë sinjale të rëndësishme për gjendjen e ekonomisë amerikane dhe tregut të punës.

Rënia e bursave shënon një përmbysje të fortë të optimizmit që shoqëroi fillimisht fitoren e demokratëve, pasi investitorët kishin shpresuar se kontrolli i tyre mbi Kongresin do të kufizonte politikat e administratës Trump. Tashmë, shqetësimi kryesor është nëse ndryshimi politik do të frenojë një prej sektorëve që ka nxitur rritjen e tregjeve globale gjatë viteve të fundit.


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›