E Enjte, 5 Nëntor 2026

Papa pret Bob Dylan në Vatikan

Papa Leoni XIV ka pritur këtë të mërkurë në një audiencë private në Pallatin Apostolik të Vatikanit legjendën e muzikës amerikane, Bob Dylan. Takimi vjen disa muaj pasi Papa kishte cituar vargje të një prej krijimeve të panjohura të artistit, duke i përdorur si mesazh kundër riarmatimit global dhe kërcënimit bërthamor.

Në korrik të vitit 2026, gjatë parathënies së librit “E çarmatosur dhe çarmatosëse. Paqja është dhuratë”, botuar nga Shtëpia Botuese e Vatikanit (LEV), Leoni XIV kishte përfshirë disa vargje të shkruara nga Dylan, në të cilat artisti i drejtohej në mënyrë figurative bombës atomike.

«Të urrej, sepse të ka krijuar njeriu dhe njeriu të zotëron e njeriu të përdor», ishte fragmenti i cituar nga Papa, si një paralajmërim për rrezikun e armëve bërthamore dhe garën globale të armatimeve.

Bëhet fjalë për tekstin “Go Away You Bomb” (Largohu, o bombë), të shkruar nga Bob Dylan në vitin 1963, në kulmin e tensioneve të Luftës së Ftohtë. Një krijim i veçantë në repertorin e artistit, pasi nuk është regjistruar apo publikuar zyrtarisht në albumet e tij muzikore. Dorëshkrimi origjinal u zbulua vetëm në vitin 2013.

Takimi mes Papës dhe 85-vjeçarit, fitues i Çmimit Nobel për Letërsinë, ishte i shkurtër, por u shoqërua me shkëmbimin e dhuratave. Leoni XIV i dhuroi këngëtarit një rruzare, ndërsa Dylan i dhuroi Papës librin e tij autobiografik “Chronicles – Volume 1”.

Artisti amerikan ndodhet në Romë për koncertin që do të mbajë të enjten, më 5 nëntor, në Pallatin e Sportit, në kuadër të turneut “Rough and Rowdy Ways Tour”. Turneu i tij përfshin gjithashtu koncerte në Milano dhe Bolonjë. Gjatë performancave, publikut nuk i lejohet të regjistrojë video me celularë.

Ky nuk është takimi i parë i Bob Dylan me një Papë. Në vitin 1997, ai mori pjesë në Kongresin e 23-të Eukaristik Kombëtar në Bolonjë, ku performoi përpara Papa Gjon Palit II dhe rreth 300 mijë të rinjve.

Në atë aktivitet, Dylan interpretoi tri prej këngëve të tij më të njohura, mes tyre “Knockin’ on Heaven’s Door”. Pas performancës, ai hoqi kapelën e kaubojit, iu afrua podiumit papnor dhe shtrëngoi duart me Gjon Palin II.

Edhe Papa polak iu referua muzikës së artistit amerikan gjatë fjalimit të tij drejtuar të rinjve, duke cituar këngën “Blowin’ in the Wind”.

«Ti më pyet: sa rrugë duhet të përshkojë njeriu përpara se të mund ta quash njeri?», ishte vargu i përmendur nga Gjon Pali II, i cili iu përgjigj pyetjes me një mesazh fetar: «Vetëm një. Ekziston vetëm një rrugë për njeriun dhe ajo është rruga e Jezu Krishtit».

Lajme të Sugjeruara

“Nuk e prisja këtë shkallë të humbjes së republikanëve”, Zekthi analizon rezultatin e zgjedhjeve në SHBA

“Nuk e prisja këtë shkallë të humbjes së republikanëve”, Zekthi analizon rezultatin e zgjedhjeve në SHBA

Pesë arsyet pse republikanët e Trump pësuan një humbje historike në zgjedhjet amerikane

Pesë arsyet pse republikanët e Trump pësuan një humbje historike në zgjedhjet amerikane

“MAGA ndëshkoi themeluesin e saj”, Peka: Republikanët votuan kundër Trump

“MAGA ndëshkoi themeluesin e saj”, Peka: Republikanët votuan kundër Trump

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›