Paradë dhe protesta në SHBA, ushtria feston 250-vjetorin e krijimit, qytetarët kundër politikave të Trump

250-vjetori i krijimit të Ushtrisë Amerikane u shënua këtë fundjavë me një paradë madhështore në Washington që përkoi edhe me ditëlindjen e ish-presidentit Donald Trump.
Rreth 6,600 ushtarë, 50 helikopterë dhe tanke M1 Abrams 60-tonëshe parakaluan në Rrugën Kushtetuese, në një demonstrim force dhe krenarie kombëtare.
Në 40 minutat e para, parada solli një përmbledhje vizuale të më shumë se 200 vjetëve histori ushtarake amerikane, duke nisur nga viti 1775 e deri në Luftën e Gjirit të vitit 1991.
Ushtarët, të veshur me uniforma ceremoniale dhe me helmeta, përshëndetën turmat duke buzëqeshur nga automjetet e blinduara.
Ngjarja, që Trump e kishte kërkuar prej kohësh gjatë mandatit të tij, u zhvillua nën masa të larta sigurie dhe me pjesëmarrje të gjerë nga publiku.
Kreu i Shtëpisë së Bardhë foli me tone të ashpra ndaj armiqve të Amerikës.
“Nëse kërcënoni popullin amerikan, ushtarët tanë do të vijnë pas jush. Disfata do të jetë e sigurt, dhe rënia juaj përfundimtare. Amerika qëndron krenare dhe e lirë. Dhe do të bëhet më e madhe dhe më e fortë se kurrë më parë.”
Ndërkohë, në qytete të ndryshme të vendit, mijëra qytetarë protestuan nën moton “Jo mbretërve”, duke kritikuar përdorimin e ushtrisë për qëllime politike dhe duke kërkuar mbrojtjen e demokracisë dhe të drejtave të emigrantëve.
Kontrasti mes paradës dhe protestave solli në pah ndarjet e thella politike që vazhdojnë të shoqërojnë klimën në Shtetet e Bashkuara./vizionplus.tv