Paradoksi / Mashtron shtetin, mashtron edhe qytetarët

Nga Artur Ajazi
Prej 15 vitesh, një pallat 12 katësh në lagjen “Partizani” rruga Pellumb Isai” në Elbasan, është kthyer në “mollë sherri” dhe debatesh mes banorëve dhe pronarit L.P. i cili ka ikur dhe e ka braktisur objektin. Ai pallat ka nisur nga ndertimi prej 15 vitesh, madje banorët thonë se “ai ndertues ka shitur hyrjet edhe nga 2 herë, dhe ka futur gjithë dynjanë në sherr”. Banori i rrugicës ku gjendet pallati i braktisur Kujtim Lufta shprehet se “mirë që nuk po e mbaron pallatin, i cili po degradon, mirë që po mashtron shtetin dhe ne, por ka vite që ambientet e pallatit janë kthyer në vend për drogaxhinjtë, po zihemi çdo natë me përdoruesit e drogave, njoftojmë policinë, ajo ose nuk vjen , ose na thotë “kapeni ndonjë drogaxhi dhe mbajeni derisa të vijmë ne”. Fajtori në rastin konkret mbetet ndërtuesi, që e ngriti si karabina pallatin, dhe tani e ka braktisur. Ku është shteti, ku janë Tatim-Taksat, ku është prokuroria dhe gjykata, që në 15 vjet kanë marrë me qindra denoncime, dhe heshtin ? Si ka mundësi që një ndertues, hap themelet e një pallati, mbledh para nga blerësit dhe arrin të ndertojë si karabina gjithë atë objekt, dhe të mbetet larg syrit të Degës së Tatim-Taksave Elbasan, duke kaluar çdo afat kohor ? Si ka mundësi që Policia Vendore Elbasan të heshtë, të mos marrë në konsideratë njoftimet dhe denoncimet e banorëve të lagjes “Partizani” Elbasan, mbi problemet e përditshme që u hapin atyre drogaxhinjtë që hyjnë çdo natë në pallatin e braktisur ? Banorët e rrugicës ku ndodhet pallati i braktisur nga ndërtuesi L.P, shprehen se “ne do të marrim masa të tjera më rradikale vetë, në rast se nuk nderhyn policia dhe prokuroria, pasi po degradon tarraca e pallatit, dhe po bie mbi banesat tona përdhese pjesë betoni dhe dërrasa , që janë ngjitur me pallatin”. Ata i bëjnë thirrje organeve policore dhe hetimore, të marrin urgjentisht masa, pasi mund të ndodhin ngjarje të rënda. Debatet dhe agravimi i tyre me drogaxhinjtë, ka arritur deri atje sa të ndodhin edhe përplasje fizike mes banorëve dhe personave që vijnë dhe drogohen në ambientet e braktisura të pallatit që po rrënohet çdo ditë. Ata i bëjnë thirrje organeve hetimore të shqyrtojnë denoncimet e banorëve, pasi situata në atë pallat të braktisur, mund të sjellë një ditë të bukur edhe viktima. Ky nuk është rasti i vetëm në Elbasan dhe jo vetëm, kur pallatet ngrihen si karabina dhe pastaj ndertuesit pasi marrin paratë nga blerësit qysh në themel, ja mbathin, duke lënë në mëshirën e fatit qytetarët. Policia dhe Prokuroria e Elbasanit, nuk duhet të heshtin dhe të bëjnë “sehirxhiun” por ti marrin seriozisht denoncimet e qytetareve, përpara se të kemi ngjarje të rënda.
