E Martë, 3 Nëntor 2026

Sistemi i ri i kualifikimit të mësuesve, Valbona Mata vlerësohet me titullin “Mësuese Mjeshtre” për 20 vjet në arsim

Tiranë, 18 qershor/ATSH/ Prej dy dekadash në shërbim të arsimit dhe dijes, mësuesja Valbona Mata është një prej figurave më të spikatura të mësimdhënies në lëndën e Fizikës, duke dhënë kontribut të vyer dhe të pandërprerë në formimin e brezave të rinj.

Ajo është pjesë e trupës pedagogjike të gjimnazit “Sinan Tafaj”, në Tiranë prej 16 vitesh, ku është vlerësuar këtë vit me titullin “Mësuese Mjeshtre” në kuadër të sistemit të ri të kualifikimit të mësuesve.

Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu, bëri të ditur sot se Valbona Mata është një nga 2 674 mësuesit në të gjithë vendin që kanë përfituar më herët se parashikimi kategorinë e parë të kualifikimit, falë performancës së lartë në mësimdhënie, angazhimit profesional dhe rezultateve të nxënësve të tyre.

“Përmes vlerësimit me titullin “Mësues Mjeshtër”, mësues si Valbona Mata jo vetëm që njohin mundin dhe përkushtimin e tyre shumëvjeçar, por gjithashtu përfitojnë rritje page për shkak të kualifikimit më të lartë”, u shpreh ministrja Manastirliu, duke theksuar se reforma në sistemin e karrierës dhe motivimit të mësuesve synon të rrisë cilësinë e arsimit në të gjitha nivelet.

Valbona Mata është jo vetëm një mësuese me përvojë të gjatë, por edhe një figurë e dashur për nxënësit dhe kolegët e saj. Metodat moderne të mësimdhënies që ajo përdor, përkushtimi ndaj çdo nxënësi dhe pasioni për shkencën e kanë bërë atë një model frymëzimi në komunitetin arsimor.

Gjatë viteve të saj në arsim, ajo ka udhëhequr grupe pune shkencore, ka mentoruar mësues të rinj dhe ka kontribuar në hartimin e materialeve ndihmëse për mësimdhënien e Fizikës.

Nxënësit e saj janë shpërblyer me rezultate të larta në olimpiada dhe testime kombëtare, duke reflektuar cilësinë e punës së saj në klasë.
Kjo arritje është pjesë e reformës në sistemin arsimor që synon njohjen dhe shpërblimin e meritës, si dhe krijimin e një klime profesionale që nxit zhvillimin e vazhdueshëm të mësuesve.

Titulli “Mësues Mjeshtër” është një nga gradat më të larta në sistemin e kualifikimit të mësuesve dhe përfitimi i tij në një periudhë më të shkurtër është tregues i qartë i cilësisë dhe përkushtimit të mësuese Valbonës. /j.p/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›