E Diel, 1 Nëntor 2026

Paradoksi i tregut të punës. Shtohen punëkërkuesit, rriten dhe vendet vakante. Eksperti: Të forcohet arsimi profesional

Tregu shqiptar i punës vijon të përballet me paradoksin e rritjes së kërkesës për fuqi punëtore nga njëra anë dhe numrit të punëkërkuesve nga ana tjetër.

Deri në shtator të vitit 2026 numri i vendeve të lira të punës arriti në mbi 50 mijë, teksa punëkërkuesit numërohen në mbi 68 mijë.

Arsyeja sipas ekspertëve përveç emigracionit dhe plakjes së popullsisë është edhe mospërputhja e aftësive me kërkesat e tregut.

“Arsyeja kryesore pse ndodh kjo është se aftësitë dhe ajo që di të bëjmë dhe shkollimi që kanë këto njerëz që kërkojnë punë nuk përputhet plotësisht me atë që në fakt tregu kërkon dhe ofron si vende pune dhe kjo aftësi, ky hendek mes aftësive vetëm se ka ardhur duke u thelluar nga viti në vit”, tha eksperti Ergis Sefa.

Eksperti Ergis Sefa e sheh zgjidhjen tek reformimi i arsimit profesional.

“Nga njëra anë duhet një politikë e mirë arsimore që çon drejt arsimit profesional. Nga ana tjetër duhet një fushatë e mirë informimi, që sidomos prindërve por edhe të rinjve t’i bëhet e qartë që përpara se të fillojnë studimet në tre apo në pesë vitet e ardhshme tregu kërkon këto lloj aftësish në mënyrë që ato të marrin një vendim të mirë”, tha Sefa.

Në rang vendi, numri i të rinjve që frekuentojnë arsimin profesional është 15%.

Gazetar: H. Mahmutaj

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›