E Diel, 1 Nëntor 2026

Paralajmërimi për sulme të mundshme nga Irani, ministri Nufi: S’ka vend për shqetësim. Jemi cenuar nga veprimtaria e aktorëve të atij shteti

Ministri i Mbrojtjes Ermal Nufi ka qetësuar të gjithë qytetarët shqiptarë se nuk ka asgjë për t’u shqetësuar pas paralajmërimit të ngritur nga ambasada amerikane për mundësinë e shënjestrimit edhe në Shqipëri të subjekteve të lidhura me SHBA nga grupet e lidhura me Iranin.

Në një deklaratë për media para Parlamentit, Nufi theksoi se njoftimi i ambasadës është në përputhje me masat e sigurisë për qytetarët amerikanë.

“Nuk ka vend për t’u shqetësuar. Ambasada ka bërë deklaratën e saj në përputhje me masat e sigurisë për qytetarët amerikanë. Vend për të pasur kujdes për sigurinë, patjetër që ka, po kjo është e gjithëkohëshme”, deklaroi Nufi.

Ministri shtoi se paralajmërimi i ka shkuar të gjitha ambasadave në Europë për shtetasit amerikanë.

Ai shtoi se, ky paralajmërim patjetër që është bërë edhe për Shqipërinë, edhe për faktin se kjo e fundit ka mbajtur qëndrim të prerë ndaj një regjimi i cili ka impaktuar institucionet publike përmes sulmeve kibernetike.

“Kjo kërkesë i ka shkuar gjithë ambasadave të bashkuara në Europë. Është për gjithë qytetarët amerikanë në gjithë Evropën, jo vetëm në Shqipëri. Shqipëria ka mbajtur një qëndrim të prerë ndaj një regjimi i cili ka dëmtuar dhe interesat kombëtare shqiptare dhe ne si qytetarë shqiptarë jemi cënuar nga veprimtaria e aktorëve të lidhur me atë shtet dhe që kanë cenuar institucionet tona publike pavarësisht se qeveria ka marrë çdo masë dhe të gjitha sistemet janë rikthyer”, përfundoi ai.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›