Kapri akuza Lamallarit: Vendim antikushtetues për mjetet elektrike. Ministri: Masë e domosdoshme për sigurinë e qytetarëve

Deputeti i Partisë “Mundësia”, Erald Kapri, gjatë seancës së pyetje-përgjigjeve me Ministrin e Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari, ka ngritur akuza ndaj qeverisë lidhur me masat ndaj përdoruesve të mjeteve elektrike.
Kapri u shpreh se prej gjashtë muajsh kjo ministri ka marrë një vendim që, sipas tij, është totalisht antikushtetues, duke ndaluar qarkullimin e mjeteve elektrike dhe duke ushtruar presion ndaj qytetarëve që i përdorin ato.
“Ju keni vendosur që të gjithë shqiptarët që qarkullojnë me mjete elektrike duhet të ndalohen. Madje policia ka treguar një zell të tepruar, duke konfiskuar me mijëra monopatina dhe mjete të tjera elektrike në komisariate”, deklaroi ai.
Deputeti solli edhe një rast konkret, ku sipas tij një i mitur është shoqëruar në komisariat pasi policia i kishte sekuestruar mjetin elektrik, duke qëndruar për disa orë pa praninë e një psikologu. Ai theksoi se raste të tilla janë të shumta dhe tregojnë, sipas tij, një qasje të ashpër të autoriteteve ndaj të rinjve.
Kapri kritikoi gjithashtu qeverinë për mungesë ndjeshmërie ndaj qytetarëve që përdorin mjete elektrike si alternativë ekonomike, sidomos në kushtet e rritjes së çmimit të karburanteve.
“Janë të rinj që shkojnë në punë me këto mjete, i kanë blerë me kredi dhe bëjnë një shërbim për vendin. Ndërkohë, policia i trajton si kriminelë”, u shpreh ai, duke iu referuar edhe videove që, sipas tij, tregojnë sjellje të dhunshme ndaj tyre.
Ai akuzoi autoritetet se ndërkohë që ushtrojnë presion ndaj qytetarëve të zakonshëm, nuk veprojnë me të njëjtin standard ndaj personave të fuqishëm apo krimit të organizuar.
Në fund, Kapri kërkoi nga ministri që të japë zgjidhje konkrete dhe të ndryshojë qasjen ndaj të rinjve, duke theksuar se respektimi i të drejtave të qytetarëve dhe zbatimi i ligjit duhet të jenë prioritet.
Ministri për Punët e Brendshme, Besfort Lamallari, nga ana e tij ka mbrojtur vendimin për ndalimin e përdorimit të monopatinave, duke e cilësuar atë si një masë të drejtë dhe të domosdoshme për sigurinë e qytetarëve.
Lamallari theksoi se ky vendim ka pasur një mision të vetëm: mbrojtjen e jetës dhe shëndetit të qytetarëve, duke iu referuar rritjes së ndjeshme të aksidenteve të lidhura me këto mjete.
Sipas tij, të dhënat tregojnë një trend shqetësues në rritje të aksidenteve nga viti në vit. “Në vitin 2023 janë evidentuar 587 raste aksidentesh nga monopatinat, në 2024 kjo shifër ka arritur në 991 raste, duke përfshirë edhe humbje jete, ndërsa në 2025 janë regjistruar 887 raste”, deklaroi ministri.
Ai shtoi se situata ka ndryshuar ndjeshëm pas ndalimit të përdorimit të monopatinave, duke theksuar se numri i rasteve është reduktuar në minimum. “Nga momenti i ndalimit e deri më sot janë konstatuar vetëm 6 raste”, tha Lamallari.
Ministri bëri të ditur gjithashtu se gjatë kontrolleve të policisë, nga 1350 monopatina të verifikuara, një pjesë e konsiderueshme rezultonin pa dokumentacion pronësie, çka sipas tij përbënte një tjetër problematikë serioze.
Duke iu referuar praktikave ndërkombëtare, Lamallari theksoi se edhe vende të Bashkimit Europian kanë ndërmarrë masa të ngjashme, duke përmendur rastin e Parisit, ku përdorimi i monopatinave është ndaluar për arsye sigurie.
“Ky nuk është një vendim antiligjor, por një masë për vendosjen e rregullit dhe shmangien e kaosit në rrugë”, përfundoi ai.
/rtsh.al/