E Diel, 1 Nëntor 2026

Parandalohet ngjarja kriminale/ Tiranë, pranga 37-vjeçarit me maskë silikoni, tentoi t’i ikte policisë

Një ngjarje kriminale është parandaluar nga Policia e Tiranës, e cila arrestoi një 37-vjeçar me rrezikshmëri të lartë shoqërore. Në pranga ka rënë Perikli Doçi, i cili u arrestua në afërsi të liqenit të Paskuqanit ndërsa lëvizte me një motor pa targa, te vjedhur.

Policia e cila po e mbante në vëzhgim pas informacioneve te marra ne rruge operative, i ka bere thirrje të ndalojë, por 37-vjeçari nuk i është bindur urdhrit dhe është larguar me shpejtësi, duke detyruar efektivet e policisë të vihen në ndjekje të tij.

Sipas policisë, Doçi ishte nisur për te kryer një krim pasi kishte marrë masa për të fshehur fytyrën përmes një maske silikoni. Pas arrestimit, në çantën e tij policia gjeti 10 litra benzinë, një sasi lënde plasëse, armë zjarri dhe municion.

Në dëshminë paraprake për hetuesit, i arrestuari Perikli Doçi ka deklaruar se do te kryeje dënimin për çfarë akuzohet, por nuk ka dhënë asnjë detaj mbi bashkëpunëtorët apo porositësin e krimit qe do te kryente.

37 vjeçari Perikli Doçi është person me precedentë penalë. Në tetor të vitit të kaluar, ai ka qëlluar me armë zjarri në drejtim të një banese dhe më pas ka djegur automjetin e përdorur në afërsi të urës në fshatin Tapizë. Dy javë më pas Doçi ka hedhur lëndë plasëse në një tjetër banesë, duke shkaktuar vetëm dëme materiale.

Policia vijon hetimet për të zbardhur plotësisht ngjarjen dhe për të dokumentuar aktivitetin e plotë kriminal të të arrestuarit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›