E Diel, 1 Nëntor 2026

Parisi i përgjigjet Trump: Kërcënimet për tarifa 200% mbi verërat franceze janë “të papranueshme”

Zyra e presidentit francez Emmanuel Macron e ka cilësuar si “të papranueshme dhe joefektive” kërcënimin e presidentit amerikan Donald Trump për vendosjen e tarifave prej 200% mbi verërat dhe shampanjat franceze, duke folur për AFP.

“Siç e kemi theksuar gjithmonë, kërcënimet me tarifa që synojnë të ndikojnë në politikën tonë të jashtme janë të papranueshme dhe joefektive”, u shpreh një përfaqësues i presidentit francez.

Trump paralajmëroi vendosjen e tarifave pasi Macron refuzoi të merrte pjesë në “Këshillin e Paqes”, një nismë e presidentit amerikan me mision ende të paqartë, e cila duket se synon të shërbejë si alternativë ndaj OKB-së.

“Ky është një kërcënim, në këtë fazë, i papranueshëm dhe i paimagjinueshëm, që padyshim nuk mund të mbetet pa reagim jo vetëm nga Franca, por edhe nga e gjithë Bashkimi Europian”, deklaroi Ministrja Franceze e Bujqësisë, Anne Genevard, për TF1.

Ajo shtoi se “ky kërcënim godet një sektor specifik, atë të vreshtarisë, i cili tashmë po përballet me vështirësi dhe përbën një pikë referimi për bujqësinë franceze.”

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›