E Diel, 1 Nëntor 2026

Parku “Dua të luaj” në Fier, 193,4 milionë lekë për shpronësimet

TIRANË, 15 janar/ATSh/ Këshilli i Ministrave vendosi sot shpronësimin për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme që preken nga realizimi i projektit të parkut “Dua të luaj” në Fier.

Sipas këtij vendimi, pronarët do të kompensohen me një vlerë të përgjithshme prej 193 385 534 lekësh, që përballohet nga buxheti i shtetit.

Shpronësimi fillon menjëherë pas botimit të këtij vendimi në “Fletoren zyrtare” dhe afati i përfundimit të tij është brenda 3 muajve nga data e hyrjes në fuqi.

Pronarët e pasurive të paluajtshme do të kompensohen pasi të kenë paraqitur dokumentacionin justifikues për likuidim pranë Agjencisë Shtetërore për Shpronësimin.

Ndërkohë, Agjencia Shtetërore për Shpronësimin kryen procedurat për likuidimin e pronarëve të shpronësuar, sipas përcaktimeve të bëra në këtë vendim.

Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Fier, brenda 30 ditëve nga data e miratimit të këtij vendimi, nis procedurat për hedhjen e gjurmës së projektit mbi hartën kadastrale, sipas planimetrisë së shpronësimit të miratuar, dhe regjistron aktin e kalimit të pronësisë në favor të Bashkisë Fier për pasuritë e shpronësuara.

Kjo agjenci pezullon të gjitha transaksionet me pasuritë e shpronësuara deri në momentin e realizimit të procesit të hedhjes së gjurmës së projektit mbi hartën kadastrale dhe të regjistrimit të aktit të kalimit të pronësisë në favor të Bashkisë Fier për pasuritë e shpronësuara.

/m.m/a.f/r.e/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›