50 punonjës me kontratë i shtohen Operatorit të Kujdesit Shëndetësor dhe Urgjencës Mjekësore

TIRANË, 15 janar/ATSh/ Këshilli i Ministrave vendosi që, për nevoja emergjencash shëndetësore dhe programe depistimi, t’i shtohen 50 punonjës shëndetësorë dhe mbështetës me kontratë Operatorit të Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor dhe Qendrës Kombëtare të Urgjencës Mjekësore.
Në mbledhjen e sotme, Këshilli i Ministrave përcaktoi numrin total të punonjësve me kontratë të përkohshme për vitin 2026 në njësitë e qeverisjes qendrore.
Sipas vendimit, pagesat për pozicionin “punonjës arkivi (DPA)” do të kryhen nga institucionet përkatëse pas miratimit të listëprezencës nga Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave, ndërsa punonjësit në funksionin “operator EDRMS” do të paguhen sipas kategorisë së pagës së funksionit “operator”.
Funksionet “specialist” në Kryeministri dhe “specialist” (asistent/ndihmës ligjor) në Këshillin e Lartë Gjyqësor kanë orar pune 8-orësh gjatë gjithë vitit dhe paguhen sipas kategorisë IV-1.
Efektet financiare për punonjësit me kontratë do të mbulohen nga shpenzimet korente të buxhetuara nga institucionet, ndërsa për punonjësit e Shtëpive të Pushimit dhe Shërbimit Gjeologjik Shqiptar ato mbulohen nga të ardhurat vetjake.
Ministritë dhe institucionet janë ngarkuar të hartojnë rregulla të veçanta për punësimin e përkohshëm dhe të depozitojnë pranë Ministrisë së Financave detajimin e numrit të punonjësve, kategorinë e pagës dhe burimin e financimit.
Efektet financiare fillojnë menjëherë pas hyrjes në fuqi të vendimit, ndërsa për punonjësit që vazhdojnë kontratën nga viti i kaluar, pagesa nis nga 1 janari 2026.
/a.f/r.e/