E Diel, 1 Nëntor 2026

Pas vrasjes së çiftit Mujeci fshehu makinën e autorëve, arrestohet 40-vjeçari (EMRI)

Një person i shpallur në kërkim për përkrahje të autorëve të krimit është arrestuar nga Policia e Shtetit, pas lokalizimit dhe kapjes së tij në Ulqin të Malit të Zi.

Sipas njoftimit zyrtar, arrestimi i Besnik Kolndreut u bë falë bashkëpunimit mes autoriteteve shqiptare dhe atyre malazeze. Pas kapjes në territorin e Malit të Zi, ai u deportua në Pikën e Kalimit Kufitar të Muriqanit dhe iu dorëzua policisë shqiptare.

Kolndreu kërkohej në kuadër të hetimeve për ngjarjen e rëndë të ndodhur më 26 prill 2026 në Balldre të Lezhës, ku mbetën të vrarë me armë zjarri bashkëshortët Kujtim dhe Gjylymser Mujeci.

Sipas hetimeve të deritanishme, ai dyshohet për veprën penale “Përkrahja e autorit të krimit”, kryer në bashkëpunim. Autoritetet bëjnë me dije se Kolndreu dyshohet se ka ndihmuar autorët e ngjarjes duke fshehur në pronën e tij automjetin e përdorur pas kryerjes së vrasjes.

Automjeti në fjalë u gjet dhe u sekuestrua nga policia gjatë kontrolleve të zhvilluara në kuadër të hetimeve. Për këtë arsye, Gjykata e Lezhës kishte caktuar ndaj tij masën e sigurisë “Arrest në burg”.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Lezhës për veprime të mëtejshme hetimore.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›