E Diel, 1 Nëntor 2026

“Pasqyrë Albania”, Rama: Pyetjet grumbullohen nga diskutimet në rrjetet sociale dhe mediet tradicionale

TIRANË, 3 tetor/ATSH/ Kryeministri Edi Rama theksoi se pyetjet që përfshihen në “Pasqyrë Albania” janë produkt i hulumtimit me inteligjencë artificiale të gjithçkaje që diskutohet dhe publikohet në rrjetet sociale, si edhe në mediet tradicionale.

Gjatë prezantimit të platformës “Flamingo Mirror” (Pasqyra e Flamingos), një komponent i ri i platformës “Pasqyrë Albania”, Rama tha se “e para, nuk janë pyetje të përzgjedhura, por janë pyetje të grumbulluara në radhë në një numër shumë të konsiderueshëm. Dhe e dyta, që besoj është shumë e rëndësishme të theksohet, është se dosja vendoset në “Pasqyrën e Flamingos” duke u nisur nga një interes i posaçëm publik në kohën kur bëhet kjo përzgjedhje”.

Por, vijoi Kryeministri, “tek “Pasqyrë Albania”, sipas sektorëve dhe për faktin që ajo do të jetë adresa e vetme unike e qeverisë shqiptare si fillim, por ne themi se duhet bëhet edhe e shtetit shqiptar, ku duhet të futet dhe pushteti legjislativ dhe ai gjyqësor, aty sipas sektorëve, çdo qytetar do të jetë në gjendje të gjejë informaicon për atë që i intereson për investimet, politikat, ndërtimet dhe investimet në lagjen e tij”.

Kreu i qeverisë u shpreh se “është punë shumë voluminoze ka një angazhim shumë të madh që po merren me ndërtimin e “Pasqyrë Albania”, nën drejtimin e skuadrës sonë të teknologjisë, patjetër që janë të përfshirë juristët. Pasi “Pasqyrë Albania” do të bëhet ligj dhe do të integrohet tek ligji i bashkëqeverisjes”.

“Aty ku kemi të instaluar edhe platformën e bashkëqeverisjes si instrument të integrimit me qytetarët, por hap pas hapi të gjitha këto do të dalin në publik”, tha Rama.

Kryeministri Rama bëri të ditur se pas disa ditësh “do kthehemi për një tjetër komponent të rëndësishëm, që është prezantimi i një moduli të ri të Diellës, ekzekutuar nga skuadra e IA e AKSHI-t, dhe kështu me radhë i gjithë mozaiku do të plotësohet hap pas hapi dhe brenda harkut të një viti do ta kemi të gjithë sistemin të konsoliduar”.

/k.s/r.e/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›