“Pasqyrë Albania rezultat i reflektimit për protestën”/ Rama: Komunikim me qytetarët edhe përmes inteligjencës artificiale

Kryeministri Edi Rama zhvilloi sot një bisedë me ekspertët e AKSHI-t të angazhuar në konfigurimin e platformës, për t’u njohur nga afër me funksionalitetet dhe risitë që ajo sjell.
Kreu i qeverisë bëri të ditur se platforma “Pasqyrë Albania” do të jetë e aksesueshme nga kompjuteri dhe telefoni, ndërsa në ditët në vijim pritet të mundësojë edhe komunikimin e drejtpërdrejtë të qytetarëve me institucionet.
Sipas Ramës, sistemi do të integrojë gradualisht edhe inteligjencën artificiale, me synimin për të përshpejtuar marrjen e informacionit dhe trajtimin e kërkesave të qytetarëve.
Eksperti i AKSHIT u shpreh se një seksion ia kanë dedikuar edhe pasqyrimit të gjithë web site-ve të ministrive dhe institucioneve të linjës.
“Këtu qytetarët do kenë mundësi, që drejtpërdrejt institucionin që ato kërkojnë, ta kontaktojnë dhe të informohen mbi të gjithë informacionin që lidhet me të”, tha ai.
Kryeministri Rama: Çdo institucion do të jetë në këtë Pasqyrë. Pra, “Pasqyrë Albania” është një inovacion që përmbledh të gjithë shtetin, të gjitha dritaret dhe dyert e shtetit në pasqyrën dixhitale të celularit apo të kompjuterit tënd.
Dhe mjafton një klik për të shkuar tek dritarja apo për të trokitur tek dera që ke interes. Kjo pasqyrë e bën shumë më të thjeshtë dhe e bën shumë më të drejtpërdrejtë marrëdhënien e qytetarit me administratën dhe ndërkohë siç thashë e ekspozon tërësisht administratën, karshi sfidës sonë të përbashkët, timen dhe tuajën, për të pasur një administratë në dispozicion, në kohë sipas afateve të ligjit dhe me transparencë të plotë.
Eksperti i AKSHI-t: Gjithashtu kemi bërë të mundur që pasqyra mos të përdoret vetëm në web, por të instalohet edhe si aplikacion në Android dhe në IOS. Pra, qytetarët mund ta shkarkojnë drejtpërdrejt nga web-i dhe ta bëjnë ta përdorin si aplikacion edhe në desktop, por edhe në aplikacion edhe në telefon.
Kryeministri Rama: Edhe e-Albania vetë është brenda në pasqyrë. Pra çdo gjë është brenda në pasqyrë.
Eksperti i AKSHI-t: Në ditët vijim do kemi mundësinë që të krijojmë një dritare në komunikim të drejtpërdrejtë të qytetarit me çdo institucion. Pra, nuk është vetëm thjesht një komunikim që qytetari bën me chatbot, por direkt drejtpërdrejt me institucionin përkatës. P.sh , në qoftë se një pensionist kërkon një informacion të caktuar mbi një institucion, po themi ISSH-në, atëhere ai do komunikojë direkt me institucionin në kohë reale, do të marri përgjigjen, do komunikojë, do marri përgjigjen. Kjo do jetë direkt edhe me individin, pra një person i përcaktuar, i cili do jetë i caktuar nga institucioni që do kthejë përgjigjen në kohë reale çdo kërkese që e bën qytetari dhe kjo do bëjë të mundur që, jo vetëm të kemi mundësinë të gjurmojmë ankesën, por të marrim para se qytetari të ketë një ankesë, informacionin mbi nevojën që qytetari ka për një çështje të caktuar sipas institucionit.
Kryeministri Rama: E në ndërkohë, kjo do trajnojë agjentët e inteligjencës artificiale, të cilët pastaj do t’i bëjnë këto ndërveprime pa pasur nevojë fare për njeriun mbrapa dhe gjithë sistemi do të jetë një sistem që do të funksionojë mbas një periudhe kohe, natyrisht sepse kërkohet një stërvitje, kërkohet një kohë, do të funksionojë me shumë më tepër shpejtësi, sepse do të jetë një sistem i harmonizuar tërësisht nga superinteligjenca, pra nga inteligjenca artificiale që tanimë ka filluar të hyjë në një fazë të re që quhet super inteligjenca. Kështu që, më e mira është e gjitha përpara dhe të gjithë së bashku ndihmojmë njëri-tjetrin.
Edhe një herë tjetër për ta mbyllur “Pasqyrë Albania” është një ndër rezultatet e reflektimit mbi protestën e flamingove, mbi atë manifestim të madh të fillim qershorit.
Pjesa tjetër pastaj është një histori tjetër që nuk e përziej me Pasqyrën se pastaj na bëhet pis Pasqyra.