Pastrimi i parave dhe standardet e BE-së, kreu i AIF raporton me “dyer të mbyllura” në Komisionin “Xhafaj”

Lufta kundër pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit ka mbledhur sot në një seancë të posaçme Komisionin për Nismat Qytetare dhe Agjencinë e Inteligjencës Financiare (AIF). Nën drejtimin e kryetarit Fatmir Xhafaj, komisioni dëgjoi Drejtorin e Përgjithshëm të AIF-së, Ervin Koçi, lidhur me përmbushjen e detyrimeve ndërkombëtare.
Takimi u thirr në kuadër të zbatimit të rekomandimeve të Kuvendit dhe standardeve të kërkuara nga Bashkimi Evropian dhe FATF (Task Forca e Veprimit Financiar). Çështjet kryesore të diskutuara përfshinin pParandalimin e pastrimit të parave; luftën kundër financimit të terrorizmit; masat kundër financimit të armëve të dëmtimit në masë.
Kryetari Xhafaj theksoi në nisje se kjo dëgjesë vjen si rezultat i një procesi dakordësie dhe raportimi periodik vjetor që AIF bën për zbatimin e rekomandimeve prioritare për procesin e integrimit evropian.
Për shkak të natyrës sensitive të informacioneve që trajton Inteligjenca Financiare, me kërkesë të Drejtorit Ervin Koçi, pjesa më e rëndësishme e mbledhjes u zhvillua me dyer të mbyllura, pa praninë e mediave apo publikut.
Para mbylljes së dyerve, relatori i çështjes, Ermal Elezi, prezantoi para komisionerëve punën e bërë deri më tani lidhur me kërkesat e AIF për përafrimin e legjislacionit dhe praktikave me ato evropiane.
/rtsh.al/