E Diel, 1 Nëntor 2026

Pasurohet Muzeu Etnografik në Gjirokastër, kostume popullorë punuar me mjeshtëri nga artizanet

Me synim rritjen e standardeve të muzeumeve të Gjirokastrës në shërbim të vizitorëve dhe turistëve, punohet për pasurimin e fondit të tyre me relike të ndryshme.

Së fundi, pjesë e Muzeut Etnografik janë bërë veshje popullore të krahinës së Gjirokastrës, të cilat risjellin dhe rijetësojnë vlerat e traditës sonë kombëtare.

Kostumet karakteristike janë punuar plot mjeshtëri, elegancë dhe finesë nga artizanët lokalë, duke qenë tërheqëse për vizitorët.

“Duke parë që kishte mangësi, edhe kostumet ishin jo të plota, mendova që të sillja gjashtë kostume të rindërtuara enkas për muzeun, të gjashtë zonave të ndryshme etnografike të qytetit të Gjirokastrës. Është një bashkëfinancim i Bashkisë dhe Ministrisë së Turizmit dhe i punuar dhe realizuar nga ateliera jonë”, tha Lizeta Hatika, mjeshtre qëndistare.

“Shumë faleminderit për këtë kontribut të rëndësishëm edhe të Ministrisë së Turizmit, Kulturës dhe Sporteve që e ka mundësuar. Duhet të vazhdojmë të mbështesim. Përveç fondeve që jep Ministria, patjetër edhe ne si Bashki, me buxhetin e vitit pasardhës do të vendosim një buxhet”, tha kryetari i bashkisë, Flamur Golemi.

Pasurimi dhe rijetësimi i vazhdueshëm i muzeve në qytetin e gurtë rrit interesimin e vizitorëve dhe veçanërisht të të huajve për vlerat e historisë dhe traditës.

“Unë shpresoj që edhe në vijimësi të vijojmë me përfaqësimin e të gjitha zonave të Gjirokastrës”, tha Florian Hysi, drejtor i Agjencisë së Trashëgimisë Kulturore.

Në Gjirokastër funksionojnë disa muzeume si Muzeu Etnografik, Muzeu i Armëve, Shtëpia “Kadare”, etj., të cilat tashmë janë shndërruar në pika të rëndësishme për nxitjen dhe zhvillimin e turizmit.

Gazetare: Yllka Ponde

/rtsh.al/

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›