E Hënë, 2 Nëntor 2026

Peleshi: Të krijojmë së bashku një mjedis ku debati politik zhvillohet në normalitet

TIRANË, 30 tetor /ATSH/ Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi deklaroi në seancën e sotme plenare, ku u shqyrtua procedura e shkarkimit të tij, se shkaku që ka sjellë në këtë procedurë është fryma antagoniste dhe përçarëse në sallën e parlamentit.

Peleshi e nisi fjalën e tij me ngjarjen e rëndë të vrasjes në detyrë të gjyqtarit Astrit Kalaja.

“Para pak javësh ndodhi një ngjarje e rëndë, një gjyqtar u qëllua për vdekje në sallën e gjyqit. Nga ai moment e në vazhdim u shfaq një ngjarje akoma më e rëndë, në rrjete sociale pati një numër jo të vogël reagimesh që u solidarizuan me autorin e krimit”, tha Peleshi.

“Mbase tani dikush pyet: ǒlidhje ka kjo me këtë procedurë shkarkimi të Kryetarit të Kuvendit? Bëni pak durim. Unë do t’i përgjigjem shkakut të vërtetë të kësaj procedure dhe jo pasojës”, theksoi ai.

Peleshi u shpreh se, shkaku i vërtetë i procedurës nuk është ai, nuk është favorizimi i një krahu kundër një krahu tjetër.

“Mazhoranca ka folur 291 minuta kundrejt 439 minutave të opozitës (pra 60% të kohës). Shkaku që na ka sjellë në këtë procedurë është fryma antagoniste dhe përçarëse, nga e cila nuk heqim dot dorë. Nuk është shkelja e Rregullores apo e Kushtetutës. Ajo është vetëm etiketa e përdorur qëllimisht gabim. Sepse Rregullorja nuk të lejon të fyesh, të shash, të akuzosh, të bllokosh foltoren, të pengosh fjalën e deputetëve të tjerë, apo të vendosësh të mos zbatosh masat disiplinore”, tha Kreu i Kuvendit.

Për Kushtetutën, Peleshi tha se, “pak gjasa ka të shqetësohesh për Kushtetutën e Republikës, ta respektosh e ta lexosh me kujdes atë, nëse je gati ta flakësh në ajër e madje ta përdorësh librin e Kushtetutës si gur mbi kokën e kundërshtarit politik”.

“Problemi nuk jam unë, por mungesa e vullnetit për t’u angazhuar në një sjellje të re politike. Në respektim real, jo fals, të Kushtetutës, Rregullores dhe traditës parlamentare”, theksoi ai.

Peleshi nënvizoi se, “Kushtetuta, Rregullorja apo tradita parlamentare garantojnë të drejtat e deputetit, por gjithashtu ndalojnë keqpërdorimin e të drejtës. Keqpërdorimi i të drejtës duhet të jetë vija e kuqe ku mbaron e drejta jonë për të folur e për t’u dëgjuar”.

“Nëse do të biem dakord për këtë, ashtu siç na detyron në fakt Kushtetuta dhe Rregullorja – germa dhe fryma, ambicia dhe standardi europian i parlamentarizmit – atëherë nuk do të përballemi më me situata të shëmtuara që pamundësojnë zhvillimin e seancës”, tha Peleshi.

Por, mesa duket, shtoi ai, “nuk është kaq e thjeshtë”.

Ai theksoi se, “në këtë mocion për shkarkimin e Kryetarit të Kuvendit na ka sjellë rezistenca për të mos lejuar askënd, në pozicionin që unë kam nderin të mbaj sot, të guxojë të ndryshojë këtë sallë nga arenë dhune verbale, në arenë të mendimeve alternative dhe politikës konstruktive. Apo të shkurajojë personalizmin e diskursit politik, si pjesë e kulturës nga e cila duhet të ndahemi”.

Ndaj, shtoi ai, “le ta veshim këtë sallë, ku edhe unë bëj pjesë prej vitesh tashmë, me përgjegjësitë e vërteta dhe shpesh të pathëna. Kjo kulturë që kultivohet këtu, vret. Vret shpresat e të rinjve. Vret besimin tek e nesërmja. Vret optimizmin. E sado e rëndë që mund të tingëllojë për veshët tanë, unë do ta them: Kjo kulturë e urrejtjes këtu ka pjesën e vet edhe në dhunën në shoqëri! Duhet të përballemi me këtë të vërtetë të pakëndshme: Parlamenti nuk pasqyron thjesht shoqërinë, ai e formëson atë”.

“Çdo fjalë e shqiptuar në këtë sallë jehon përtej këtyre mureve. Kur qytetarët ndezin televizorin ose shfletojnë telefonin, na shohin ne, përfaqësuesit e tyre të zgjedhur, të angazhuar në diskurs politik. Pavarësisht nëse e pranojmë apo jo, qoftë për mirë apo për keq, ne po u mësojmë atyre se si funksionon demokracia, si duhet të sillemi kur nuk merremi vesh, si duhet të reagojmë kur mendojmë se na shkelet e drejta”, tha Peleshi.

“Kur merremi me sulme denigruese personale, kur bërtasim kundër njëri-tjetrit, kur i trajtojmë kundërshtarët si armiq, në vend që t’i shohim si shërbëtorë të përbashkët të të mirës publike, ne e kthejmë në normë këto sjellje. Ne u themi zgjedhësve tanë se kjo është mënyra se si duhet të veproni kur nuk ju pëlqen mendimi apo vendimi i tjetrit”, u shpreh ai.

Peleshi theksoi se, “demokracia e fuqishme kërkon debat të fuqishëm. Por fuqia nuk duhet të përmbajë dhunë”.

Ai shtoi se, “opozitarizmi nuk duhet të përjashtojë respektin. Devotshmëria ndaj partisë nuk duhet të matet me aftësinë për sulme personale”.

“Ne mund të mos biem dakord me forcë, ndërkohë që pranojmë angazhimin tonë të përbashkët ndaj vlerave demokratike. Ne mund të kritikojmë ashpër politikat apo projektligjet, ndërkohë që tregojmë mirësjellje ndaj atyre që i propozojnë ato. Ne mund t’i mbajmë të forta bindjet tona, ndërkohë që mbetemi të hapur për t’u bindur nga dëshmitë dhe argumentet”, tha Peleshi.

Kryetari i Kuvendit solli shembullin e seancës së fundit.

“Askush nuk humbi politikisht nga seanca e fundit: Opozita mori kohën që i takon, çdo deputet, pavarësisht partisë që përfaqëson, pati mundësi të flasë në çdo pikë të rendit të ditës. Institucionet e pavarura patën mundësi të raportojnë e t’u përgjigjen pyetjeve. Deputetët patën mundësi të bëjnë komentet e tyre mbi përgjigjet. Pra, një hapësirë normale politike e demokracie”, tha Peleshi.

Ai ftoi deputetët që të krijojnë së bashku këtë mjedis normal, ku debati politik zhvillohet në normalitet dhe në liri të plotë fjale e veprimi politik, për sa kohë që nuk shkel në lirinë e tjetrit.

“Unë bëj thirrje sot për një ndryshim themelor në kulturën parlamentare, një ndryshim që njeh rolin tonë si shembull demokratik dhe pranon peshën tonë në çdo përgjegjësi”, tha Peleshi.

Në seancën e sotme plenare Partia Demokratike paraqiti raportin për shkarkimin e Kryetarit të Kuvendit, Niko Peleshi. PD kërkoi shkarkimin e Peleshit, me pretendimin se ka shkelur rëndë Kushtetutën dhe Rregulloren e këtij institucioni.

Kuvendi në seancë plenare, Foto: Andrin Hoxha 1 nga 23

/gj.m/r.e/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›