Rrëzohet kërkesa e PD-së për shkarkimin e Peleshit

TIRANË, 30 tetor /ATSH/ Kuvendi i Shqipërisë rrëzoi sot kërkesën e Partisë Demokratike për shkarkimin e Kryetarit të Kuvendit Niko Peleshi, për shkelje të Kushtetutës dhe të Rregullores.
Pas paraqitjes së dy raporteve, me 79 vota kundër, 10 vota pro dhe 0 abstenim, Kuvendi rrëzoi projektvendimin për shkarkimin e Kryetarit të Kuvendit.
PD kërkoi shkarkimin e Peleshit me pretendimin se Kryetari i Kuvendit shkeli Kushtetutën dhe Rregulloren e Kuvendit gjatë dy seancave plenare atë të datës 16 shtator dhe të datës 18 shtator.
Sipas PD-së Peleshi nuk ishte “garant i barazisë parlamentare, por zgjatim i vullnetit të Kryeministrit”.
“Peleshi ka legjitimuar një praktikë të rrezikshme përjashtimin e opozitës nga debati parlamentar”, theksoi PD.
Nga ana tjetër Partia Socialiste nënvizoi se Peleshi nuk ka kryer shkelje të Kushtetutës dhe se me raportin e PD-së “nuk provohet asnjë shkelje për sa pretendohet në kërkesë”.
PS theksoi se Kryetari i Kuvendit ka zbatuar me përpikëri të gjitha përgjegjësitë e tij kushtetuese dhe ligjore në drejtimin e seancës plenare.
Kuvendi në seancë plenare, Foto: Andrin Hoxha 1 nga 23/m.q/r.e/a.f/