Peleshi uron Ditën e Mësuesit: Mirënjohje për ata që formësojnë brezat e rinj

TIRANË, 7 mars/ATSH/ Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, uroi sot të gjithë mësuesit dhe pedagogët shqiptarë me rastin e 7 Marsit, Ditës së Mësuesit, duke vlerësuar kontributin e tyre të çmuar në arsimimin dhe edukimin e brezave të rinj.
Kryetari Peleshi përcolli një reflektim të pedagoges së Departamentit të Letërsisë në Fakultetin e Historisë dhe Filologjisë, Belfjore Qose, mbi rolin dhe përkushtimin e mësimdhënësve në shoqëri.
Ajo uroi të gjithë arsimtarët me rastin e kësaj dite të veçantë, duke theksuar se ka besuar gjithmonë se arsimi ka fuqinë të ndryshojë jetët e njerëzve përtej klisheve me të cilat shpesh përshkruhet profesioni i mësuesit.
Sipas saj, mësuesia është një profesion dinjitoz që nuk synon vetëm të transmetojë dije, por edhe të ndihmojë nxënësit të zbulojnë potencialin e tyre dhe të gjejnë rrugën e tyre në jetë.
“Kam besuar gjithmonë se arsimi mund të ndryshojë jetët e njerëzve përtej klisheve me të cilat shoqëria shpesh përpiqet ta shndërrojë mësuesinë në një mision. Në të vërtetë, ai është një profesion dinjitoz që nuk synon vetëm t’u mësojë nxënësve si ta shohin jetën, por t’u japë atyre lirinë për të zbuluar potencialet e tyre të vërteta”, u shpreh pedagogia Belfjore Qose.
Duke kujtuar përvojën personale, Qose vlerësoi rolin vendimtar që pati mësuesja e saj e letërsisë në orientimin drejt studimit të kësaj fushe dhe në përcaktimin e së ardhmes së saj profesionale.
Ajo theksoi gjithashtu se mësuesit janë ata që nuk e mbyllin kurrë ditën e tyre me përfundimin e orarit mësimor, pasi përkushtimi ndaj nxënësve dhe arsimit shkon përtej klasës.
Sipas Qoses, edhe pse sot profesionet e lidhura me humanitetin përballen me sfida, ato do të vijojnë të mbeten thelbësore për zhvillimin e shoqërisë.
Dita e Mësuesit është një simbol mirënjohjeje për përkushtimin, profesionalizmin dhe sakrificat e mësuesve, të cilët çdo ditë përcjellin dije, formësojnë vlera dhe frymëzojnë vajzat dhe djemtë e Shqipërisë për të ndërtuar themelet e së ardhmes. /j.p/