Pendohet Elon Musk, i kërkon ndjesë Trump pas përplasjes publike: Postimet e mia shkuan shumë larg

Pas debatit të bujshëm publik me Donald Trump, që tërhoqi vëmendjen e mbarë botës, Elon Musk ka shprehur keqardhje për komentet e ashpra që bëri në rrjetet sociale ndaj presidentit të SHBA-së.
“Disa nga postimet që bëra për Presidentin Trump javën e kaluar shkuan shumë larg. Më vjen keq për to,” shkroi manjati i teknologjisë në një postim në platformën X, mëngjesin e së mërkurës.
I regret some of my posts about President @realDonaldTrump last week. They went too far.
— Elon Musk (@elonmusk) June 11, 2025
Përplasja e fortë publike
Konflikti mes dy figurave të fuqishme shpërtheu të enjten e kaluar. Trump e quajti Musk-un “të çmendur”, ndërsa Musk e akuzoi Presidentin për “mosmirënjohje”. Presidenti amerikan pretendoi se i kishte dhënë fund mbështetjes për projektet e Musk-ut, duke kritikuar veçanërisht subvencionet për makinat elektrike dhe duke kërcënuar me anulimin e kontratave qeveritare me kompanitë e tij, Tesla dhe SpaceX.
Si përgjigje, Musk deklaroi në X se SpaceX do të “fillonte menjëherë çmontimin e anijes kozmike Dragon”, e cila përdoret nga NASA për misione në Stacionin Ndërkombëtar Hapësinor. Por disa orë më vonë, ai u tërhoq, duke shkruar: “Epo, nuk do ta çmontojmë Dragon-in.”
Akuza dhe tensione
Në kulmin e konfliktit, Musk një donator i rëndësishëm i fushatës së Trump për vitin 2024 pretendoi se “Trump do të kishte humbur zgjedhjet pa ndihmën time” dhe akuzoi Presidentin se ishte “mosmirënjohës”. Në një tjetër postim, Musk iu përgjigj pozitivisht një sugjerimi që Trump duhet të shkarkohej, ndërsa aludoi se emri i Trump ndodhet në dosjet e Jeffrey Epstein dhe për këtë arsye nuk janë bërë publike.
Një marrëdhënie në krizë
Përplasja mes dyshes vjen pas një periudhe tensionesh në rritje, të nxitura edhe nga kritikat e Musk ndaj një projektligji të rëndësishëm buxhetor të propozuar nga Trump. Shumë e kishin parashikuar një “divorc” mes tyre, megjithëse marrëdhënia e tyre kishte qenë e ngushtë më parë.
Sidoqoftë, pas kërkimit të ndjesës nga ana e Musk, duket se tensionet po zbuten. Nuk përjashtohet mundësia që dy figurat e fuqishme të rikthehen në një aleancë të re, pavarësisht përplasjes së fortë publike.
/vizionplus.tv