“Për çfarë dialogu flet Marta Kos?”/ Korreshi: Balluku me 1 miliard euro dëm rri e lirë! Ata që dhunuan protestues u shpërblyen

Deputeti i Partisë Demokratike, Saimir Korreshi, ka komentuar në emisionin “Minuta e Parë” deklaratat e komisioneres europiane për Zgjerimin, Marta Kos, lidhur me Shqipërinë dhe procesin e integrimit europian.
Korreshi u shpreh kritik ndaj qëndrimeve të saj, duke pretenduar se Kos nuk u ndal te çështje që, sipas tij, janë thelbësore për vendin, si rasti i Belinda Ballukut, situata e Erion Veliajt, dhuna ndaj protestuesve dhe gjendja ekonomike e qytetarëve.
Ai përmendi edhe akuzat ndaj Ballukut, duke pretenduar se ajo qëndron e lirë pavarësisht dyshimeve për dëme të mëdha ndaj buxhetit të shtetit, ndërsa qytetarë të tjerë përfundojnë në burg për çështje më të vogla. Korreshi kritikoi gjithashtu mungesën e reagimit, sipas tij, për kërcënimet ndaj Veliajt dhe dhunën e ushtruar ndaj protestuesve.
Deputeti i PD-së vuri në pikëpyetje edhe mundësinë e dialogut me kryeministrin Rama, duke pretenduar se vendimmarrja është e përqendruar te ky i fundit.
Saimir Korreshi:
“Shoqja Kos nuk citon që Balluku, me 1 miliard euro dëme ndaj buxhetit të shtetit, me vila e apartamente, rri e lirë, ndërsa një që ndërton çati është në burg.
Nuk përmend faktin se çfarë ndodhi me Veliajn apo kërcënimet ndaj tij, për të cilat nuk u fol nga asnjë faktor i drejtësisë. As për ata që dhunuan protestuesit me shkopinj gome, shoqja Kos nuk tha asgjë.
Nuk foli as për faktin se njerëzit këtu ende e llogarisin bukën me ndihmën ekonomike që marrin. Nuk u del as për të blerë një bukë në ditë. De facto, nuk kisha ndonjë shpresë se mund të thoshte diçka.
Çfarë dialogu mund të ketë kur çdo gjë këtu vendoset sipas asaj që do komandanti? Këtu edhe presidenti është si portier që hap e mbyll derën. Për çfarë po flet shoqja Kos?”
© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb