E Hënë, 2 Nëntor 2026

Për shkak të mosparaqitjes së palës akuzuese, GJKKO pushon gjyqin për shpifje kundër Flamur Nokës

Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar (GJKKO) vendosi sot, më 3 Tetor 2025, pushimin e gjykimit të çështjes penale të ngritur nga Gjergj Vishkulli kundër deputetit Flamur Noka dhe shoqërisë tregtare “3 DS & AF Entertainment sh.p.k.”. Vendimi erdhi për shkak të mosparaqitjes pa shkaqe të përligjura të palës së dëmtuar akuzuese.

Çështja lidhej me padinë e ngritur nga Vishkulli me objekt: deklarimin fajtor të të akuzuarve për veprën penale të shpifjes së kryer botërisht.

Përveç kësaj, Vishkulli kërkonte detyrimin e të paditurve që ta dëmshpërblenin “për dëmin e pësuar nga cenimi i nderit, personalitetit dhe imazhit, si dhe të përgënjeshtronin lajmin e publikuar në portalin e tyre në të gjitha mediat kombëtare”.

Trupi gjykues, i përbërë nga gjyqtarja Rudina Palloj, vendosi të arkivojë çështjen. Sipas vendimit, të gjitha shpenzimet gjyqësore të kryera deri në këtë moment i ngarkohen palës së dëmtuar akuzuese, pra Gjergj Vishkullit.

Palët kanë të drejtën e ankimit ndaj këtij vendimi në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, brenda një afati prej 15 ditësh nga komunikimi i vendimit të arsyetuar.

/rtsh.al/

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›