E Hënë, 2 Nëntor 2026

Përballja me zjarret, PD: Nuk ka nevojë për medalje, por kushte më të mira pune

TIRANË, 27 gusht /ATSH/ Partia Demokratike reagoi sot për dekoratat që u shpërndanë punonjësve të Zjarrfikësve dhe ekipit të Emergjencave të cilët u përfshinë në luftën ndaj zjarreve në vend.

Nëpërmjet një deklarate, PD nënvizoi se punonjësit e Zjarrfikësve dhe Emergjencave nuk kanë nevojë për lëvdata boshe dhe medalje, por për infrastrukturë për të luftuar zjarret.

“Ata kanë nevojë për mjete, infrastrukturë kundër zjarrit, përkujdesje, rroga, bonuse dhe sidomos respekt njerëzor dhe institucional.

“Kur Forcat e Armatosura dhe Zjarrfikësit dalin me degë pishash dhe lopata për të fikur zjarret, dhe më pas u dorëzon medalje ari, kjo është tallje, jo nderim”, nënvizoi PD.

PD shtoi më tej se në Shqipëri zjarret për shkak të mungesave të mëdha të mjeteve kundër tyre dëmtuan 2-3 herë më shumë se në vendet tjera.

Partia Demokratike deklaroi se qeveria “tallet kur mendon se mund ta mbyllë me një ceremoni krimin shtetëror të djegies së njerëzve, shtëpive bagëtive dhe të mbi 60 mijë ha pyjeve, kullotave dhe pemëtoreve”.

/m.q/j.p/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›