E Hënë, 2 Nëntor 2026

Përbërja e komisioneve të përhershme të Kuvendit, propozimet e opozitës i kalojnë seancës plenare

TIRANË, 24 shtator /ATSH/ Në drejtimin e kryetarit të Kuvendit, Niko Peleshi, u zhvillua sot mbledhja e Konferencës së Kryetarëve, me rend dite miratimi i listës së anëtarëve të komisioneve të përhershme të Kuvendit dhe miratimi i listës së anëtarëve zëvendësues në përbërjen e komisioneve të përhershme të Kuvendit.

Në lidhje me dy pikat e rendit të ditës, ishin depozituar propozime edhe nga tre grupet parlamentare të opozitës. Çështja i kaloi për miratim seancës plenare, së bashku me propozimet e Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste.

Kështu, pritet që seanca e sotme plenare të diskutojë projektvendimet “Për caktimin e përbërjes së komisioneve të përhershme të Kuvendit” si dhe projektvendimi “Për caktimin e anëtarëve zëvendësues në përbërjen e komisioneve të përhershme të Kuvendit”.

Konferenca e Kryetarëve miratoi në fillim të javës listën e anëtarëve të komisioneve të përhershme të Kuvendit dhe listën e anëtarëve zëvendësues në përbërjen e komisioneve të përhershme të Kuvendit nga mazhoranca.

Kuvendi miratoi më 16 shtator ndryshimet e propozuara nga mazhoranca në rregulloren e parlamentit, me 79 vota pro, 0 kundër dhe 0 abstenim. Ndryshimet, ndër të tjera parashikojnë kalimin e Kuvendit me 11 komisione parlamentare të përhershme. Vendimi u kundërshtua nga opozita, e cila ka paralajmëruar se do ta çojë në Kushtetuese. Sipas opozitës, ndryshimi në rregulloren e Kuvendit nuk duhej kaluar me procedurë të përshpejtuar, por me procedurë normale paralamentare dhe me dakordësinë e pakicës në Kuvend.

/gj.m/j.p/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›