Rama: Do të ndërhyjmë në Ndërmarrjen e Ujësjellësit të bashkisë Tiranë

TIRANË, 24 shtator /ATSH/ Kryetari i Partisë Socialiste, njëherazi kryeministri Edi Rama, zhvilloi sot një takim në selinë e PS me deputetë dhe ish-deputetë të qarkut të Tiranës, si dhe me ministrat e qeverisë. Në takim është dhe deputetja Ogerta Manastirliu, e cila është propozuar nga kryesocialisti Rama si kandidate për bashkinë e Tiranës.
Gjatë fjalës së tij, kreu i qeverisë tha se do të ndërhyjmë në drejtimin e Ndërmarrjes së Ujësjellësit të Tiranës.
“Ka disa probleme që kërkojnë adresim dhe zgjidhje nga bashkia Tiranë, duke filluar nga uji i pijshëm, që si asnjëherë me parë në këtë periudhë është kthyer në problem. Është një problem i keqadministrimit dhe për këtë arsye ne do të ndërhyjmë përsëri në drejtimin e Ujësjellësit të bashkisë së Tiranës”, tha Rama.
Rama theksoi gjithashtu se do të bëhet një reformë gjithëpërfshirëse për ujësjellësit në gjithë vendin, për krijimin e një operatori kombëtar të ujit.
“Siç e kemi bërë me dije, një reformë shumë më e thellë dhe gjithëpërfshirëse, në aspektin e territorit të Shqipërisë, pra jo vetëm për Tiranën ka nisur të marrë jetë, duke u konceptuar paraprakisht, sikundër e kemi prezantuar së bashku me ministren për Energjinë dhe Infrastrukturën, drejt krijimit të një operatori kombëtar i cili do të funksionojë njësoj si operatori Kombëtar i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike, me komponentin e prodhimit, me komponentin e transmetimit, dhe me komponentin e shpërndarjes dhe qeveria nuk do të qëndrojmë më anash duke pritur e shpresuar që bashkitë të kryejnë shërbimin duhur cilësor për qytetarët, por do t’iu bashkohet atyre, sepse bashkitë do të jenë aksionere në këtë kompani publike, ama do të udhëheqë duke marrë të gjithë përgjegjësinë për ecurinë e gjithë këtij procesi, që shumë ka zgjatur duke pritur që të ngrihet në nivelin e duhur në të gjitha pjesët e territorit, duke u bazuar tek vendimmarrjet shpeshherë të pakënaqshme le ta themi kështu në nivelin lokal”, tha Rama.
Rama u shpreh se do të krijohet një kompani publike, e cila nuk mund të ketë burime njerëzore, burimet partiake, por duhet të këtë punonjës profesionistë dhe teknikë.
“Do të krijojmë një kompani publike e cila ashtu sikundër në fushën e energjisë do të jetë e pozicionuar krejt ndryshe, duke filluar nga burimet njerëzore, të cilat nuk mund të jenë burime partie, por duhet të jenë burimet e kompetencës profesionale dhe teknike që mund të vërë në dispozicion të këtij komponenti të rëndësishëm jetik Shqipëria”, tha Rama.
/m.q/a.f/r.e/