E Hënë, 2 Nëntor 2026

Përdorimi i teknologjisë nga sipërmarrjet – subjektet rritin praninë në platformat sociale, por ende ofrojnë shërbime bazike

Ndërmarrjet me dhjetë e më shumë të punësuar, që kanë akses në internet për qëllime pune gjatë vitit 2025, përfaqëson 99,4% të totalit nga 99,3% që rezultuan në vitin 2024.

Të dhënat e INSTAT-it, nga ana tjetër, tregojnë se përqindja mesatare e ndërmarrjeve të cilat kanë një specialist të fushës së Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit është 31,8%, nga 29,7% që rezultoi në vitin 2024.

Përqindja më e lartë e të punësuarve që përdorin kompjuter me akses në internet vërehet në aktivitetin e Informacionit dhe Komunikimit me 79,7%, e ndjekur nga aktivitetet Profesionale, Shkencore dhe Teknike me 70,3% dhe Shërbimet Administrative dhe Mbështetëse me 65,4%.

“Nuk është asnjëherë e mjaftueshme sasia. E rëndësishme është edhe cilësia sesi përdoret ky internet, a kanë kompanitë aftësi digjitale, a arrijnë të garantojnë sigurinë për sa i përket aspekteve teknologjike, dhe në veçanti a arrijnë t’i përdorin në proceset e biznesit,” thekson Prof. Lorenc Gordani.

Përqindja e ndërmarrjeve që kanë pasur shpejtësinë e shkarkimit të informacionit më të lartë se 30 Mbit/s është 91,8% nga 88,8% që ishte në vitin 2024, ndërsa përqindja e ndërmarrjeve që kanë pasur shpejtësinë e shkarkimit të informacionit me mbi 100 Mbit/s është 50,4%, nga 40,9% që ishte në vitin 2024.

“Shpejtësia e internetit rrit produktivitetin e biznesit, por nuk është i mjaftueshëm. Ky është një hap i parë. E domosdoshme është ndërthurja me proceset e digjitalizimit,” thotë ai.

Pedagogu Gordani shprehet se nevojiten politika nxitëse për zhvillimin e aftësive.

“… figura profesionale të IT-së brenda vetë biznesit, bashkëpunim me kompanitë IT, kur është i nevojshëm ‘outsourcing’, dhe nga ana tjetër duhen edhe politika nxitëse në këtë drejtim,” nënvizon pedagogu.

Gordani gjithashtu tregon se prania e lartë e bizneseve në platformat sociale flet për shërbime bazike dhe jo inovative, duke nënvizuar se sfida e ardhshme është kalimi drejt marketingut të targetuar, përdorimit të të dhënave dhe fushatave me profesionale.

Gazetar: Omer Saraçi

/rtsh.al/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›