“Paqja fiskale 2026-2029”, marrëveshja e qeverisë me sipërmarrjet konsiston në “lehtësimin“ tatimor

Qeveria shqiptare në programin ekonomik parashikon një kapitull të ri bashkëpunimi me sipërmarrjen shqiptare përmes një marrëveshjeve disavjeçare të lehtësimit tatimor dhe nxitjes së deklarimeve të rregullta, duke zbatuar “Paqen Fiskale” 2026–2029.
Për ekonomistin Mateo Spaho nevojitet që kjo të shoqërohet me masa të reformimit të brendshëm, me qëllim parandalimin e abuzimeve në të ardhmen.
“Unë mendoj që më e duhur është vetëm për ato biznese që demonstrojnë me dokumente në dorë dhe me auditime nga të tretët që kanë pasur vështirësi reale, domethënëse dhe afatgjata për pagesën e taksave, jo për të gjithë“, thotë eksperti.
Për Spahon nuk duhet të ketë falje të detyrimeve.
“Paqja fiskale nënkupton që nëse duan ta bëjnë për gjithë vitet kaluara, që masat, gjobat të jenë të reduktuara, të fshijnë gjobat, por jo detyrimet”, thekson ai.
Eksperti e sheh paqen të lidhur ngushtë me rezultatet që ajo jep në luftën ndaj informalitetit.
“Çfarë duhet bërë për mendimin tim është të ulen taksat për sektorë të caktuar, për elementë të caktuar në momentin kur ne arrijmë të reduktojmë informalitetin”, nënvizon eksperti Spaho.
Në programin ekonomik, qeveria synon rritjen e të ardhurave tatimore me mbi 30 miliardë lekë në vit përmes zgjerimit të bazës tatimore pa rritur barrën fiskale, përmirësim dhe digjitalizim të mëtejshëm të shërbimeve, si dhe vazhdimit të luftës ndaj informalitetit.
Gazetar: Omer Saraçi
/rtsh.al/