E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Përfundon restaurimi i Kalasë së Borshit, ruhen vlerat e monumentit historik - ATSH -

TIRANË, 3 nëntor/ATSH/ Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja bëri të ditur sot se kanë përfunduar punimet restauruese në Kalanë e Borshit.

Punimet u përqendruan në konsolidimin e strukturave fortifikuese, ruajtjen e autenticitetit dhe evidentimin e vlerave historike e arkitektonike, përfshirë Xhaminë e Haxhi Bendos. Ndërhyrjet kanë kontribuar gjithashtu në rritjen e sigurisë dhe përmirësimin e vizitueshmërisë së këtij monumenti, që ngrihet mbi bregdetin e Jonit dhe mbart gjurmë historike nga antikiteti, deri në mesjetë.

“Ruajmë trashëgiminë, promovojmë historinë”, shkroi ministri, ndërsa përcolli në rrjetet sociale pamje të kalasë së restauruar.

Kalaja e Borshit ndodhet mbi fshatin dhe bregdetin e Borshit, në Rivierën Shqiptare. E ndërtuar që në periudhën antike, dhe e rindërtuar gjatë periudhës bizantine dhe otomane, kalaja ka shërbyer si një pikë strategjike për kontrollin e rrugëve tregtare dhe mbrojtjen e zonës.

Muret e saj rrethojnë një sipërfaqe të madhe, brenda së cilës gjenden rrënoja historike, përfshirë një xhami osmane. Kalaja ofron një pamje panoramike të mrekullueshme mbi detin Jon dhe fushën e Borshit, duke e bërë atë një vend tërheqës për vizitorët që duan të ndërthurin natyrën me historinë.

/a.f/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›