E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

"Save Youth", platforma kundër bullizmit në shkolla, Gogu: Nxënësit e kanë më të lehtë të kërkojnë ndihmë - ATSH -

TIRANË, 3 nëntor /ATSH/ “Save Youth”, është një platformë e re online e cila synon të lehtësojë raportimin e bullizmit, ngacmimeve dhe rasteve të dhunës në shkolla.

Nisma është ideuar nga vetë nxënësit dhe e zhvilluar nga Agjencia për Inovacion, me ndërmjetësimin e Qendrës së Parandalimit të Krimeve të të Miturve dhe të Rinjve (QPKMR).

Platforma u prezantua në gjimnazin “Sevasti Qiriazi”, ku mori pjesë edhe ministri i Drejtësisë, Toni Gogu.

“Kundër bullizmit, me një mënyrë të re për të kërkuar ndihmë! Platforma lehtëson raportimin e bullizmit, ngacmimeve dhe dhunës në shkolla, që nxënësit ta kenë më të lehtë të kërkojnë ndihmë dhe të ndihen të dëgjuar”, theksoi Gogu.

Ministri theksoi se “teknologjia nuk zëvendëson marrëdhënien njerëzore, mbështetjen e shokut, prindit, mësuesit apo psikologut, por krijon një urë drejt tyre, sidomos për fëmijët që e kanë të vështirë të flasin”.

Pas një faze testimi dhe vlerësimi të ndikimit, synohet që kjo platformë të shtrihet edhe në shkolla të tjera të Tiranës.

“Të dëgjosh të rinjtë është detyrim, t’i kthesh idetë e tyre në zgjidhje është përgjegjësi. Sepse asnjë fëmijë nuk duhet të ndihet vetëm përballë bullizmit”, shkruan Gogu.

/m.q/a.f/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›