Përfundon rikonstruksioni i hidrovorit të Orikumit, 460 hektarë tokë bujqësore më të mbrojtura nga përmbytjet - ATSH -
TIRANË, 1 nëntor /ATSH/ Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla inspektoi sot përfundimin e investimit për rikonstruksionin e hidrovorit të Orikumit (Vlorë), një ndërhyrje që synon përmirësimin e mbrojtjes së tokave bujqësore nga përmbytjet.
Sipas ministrit, për shkak të për amortizimit hidrovori kishte pësuar rënie të kapacitetit kullues.
Në kuadër të investimit, ministri theksoi se është modernizuar infrastruktura e hidrovorit, duke realizuar zëvendësimin e katër elektropompave të vjetra me pompa moderne zhytëse, rikonstruksionin e godinës dhe strukturave përkatëse si dhe modernizimin e sistemeve elektrike, të komandimit dhe të mbrojtjes, për një funksionim më të sigurt dhe efikas.
Ky investim pritet të përmirësojë ndjeshëm mbrojtjen nga përmbytjet për rreth 460 hektarë tokë bujqësore në fushën e Orikumit, duke garantuar kushte më të mira për kullimin e ujërave dhe zhvillimin e aktivitetit bujqësor në zonë.
“Me kapacitet kullues të rikthyer prej 3,7 m³/sekondë, hidrovori përmirëson mbrojtjen nga përmbytjet të rreth 460 hektarëve tokë bujqësore në fushën e Orikumit”, theksoi Salla.
/m.q/r.e/
Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
