E Diel, 1 Nëntor 2026

Protesta, Avokati i Popullit: Të verifikohet përdorimi i gazit lotsjellës dhe ujit me presion - ATSH -

TIRANË, 1 nëntor /ATSH/ Avokati i Popullit theksoi sot se përdorimi i forcës nga policia duhet të përdoret vetëm kur është i domosdoshëm, i ligjshëm dhe proporcional dhe se ky standard vlen për çdo protestë.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Avokati i Popullit theksoi se gjatë protestës së djeshme u konstatua “përdorimi i gazit lotsjellës dhe të ujit me presion nga katër automjete të posaçme të policisë”.

Gjithashtu, grupi i monitorimit i Avokatit të Popullit inspektoi komisariatet nr. 1, 3 dhe 4 dhe mori informacion nga komisariatet nr. 2, 5 dhe 6.

“Gjatë protestës u shoqëruan nëntë persona: gjashtë në Komisariatin nr. 1 dhe tre në Komisariatin nr. 3. Katër prej tyre ishin të mitur. Katër të rriturit në Komisariatin nr. 1 deklaruan se ishin kalimtarë dhe nuk kishin marrë pjesë në protestë”, njoftoi AP.

Sipas AP, dy të miturit në Komisariatin nr. 1 u intervistuan në prani të psikologut dhe të Agjencisë për Mbrojtjen e Fëmijëve, dhe familjet e tyre u njoftuan. U konstatua sërish se në këtë komisariat nuk ka sistem audioviziv për regjistrimin e intervistave.

Avokati i Popullit rekomandoi në vijim “verifikim të plotë të përdorimit të forcës, me vlerësim të domosdoshmërisë, ligjshmërisë dhe proporcionalitetit të mjeteve, përfshirë gazin lotsjellës dhe ujin me presion; Instalimin e sistemit audioviziv për regjistrimin e intervistave; Dokumentimin e arsyeve konkrete për çdo shoqërim, dhe informimin e çdo të ndaluari për arsyet e ndalimit; Identifikimin e çdo punonjësi të policisë në çdo kohë duke garantuar që uniforma përmban numrin e identifikimit”.

Avokati i Popullit fton çdo person, i cili beson se të drejtat e tij janë shkelur gjatë protestës ose gjatë shoqërimit, t’i drejtohet institucionit me ankesë individuale.

/m.q/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›